Deputeti ukrainas: Serbia të heqë dorë nga prirjet perandorake dhe ta pranojë Kosovën

Deputeti ukrainas: Serbia të heqë dorë nga prirjet perandorake dhe ta pranojë Kosovën

Aktuale April 23, 2024 - 10:26

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, thotë se Kosova nuk mund të jetë “zonë gri” në Evropë. Sipas tij, Serbia duhet ta pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe të krijojë marrëdhënie fqinjësie me të.

“Epoka e perandorive në Evropë ka marrë fund”, thotë Goncharenko, duke iu referuar, siç shprehet ai, trendit në Serbi.

Nëse nuk heq dorë nga kjo qasje, Serbia do të vazhdojë të jetojë në varfëri dhe në revanshizëm, “duke u shfrytëzuar nga Rusia, Irani dhe vende të tjera që duan të ndezin flakë në Ballkan”, thotë Goncharenko.

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ai shfaq shpresën se Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, pas votimit në muajin maj.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Goncharenko, ju lobuat për një votë pozitive për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga Komiteti i Ministrave në maj. A mendoni se do të kalojë?

Oleksiy Goncharenko: Mendoj se po. Vota në Asamblenë Parlamentare ishte historike dhe tani duhet ta përfundojmë këtë punë. Mendoj se Komiteti i Ministrave do ta ftojë zyrtarisht Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do t’u thoshit vendeve që nuk janë ende të sigurta për mbështetjen e Kosovës?

Oleksiy Goncharenko: Kosova e meriton këtë, Kosova i përket botës së lirë. Asaj i duhet ndihma jonë për zhvillimin e vlerave si vend i ri, si demokraci e re. Asaj i duhet ekspertiza e Këshillit të Evropës. Kjo nuk ka të bëjë me debatet politike, ka të bëjë me dy milionë njerëz, të cilët e meritojnë të jenë pjesë e organizatës më të madhe në botë, e cila lufton për të drejta të njeriut, sundim të ligjit, demokraci - për vlerat thelbësore për të gjithë ne.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se, në javët në vazhdim, mund të dalin kushte të reja për Kosovën?

Oleksiy Goncharenko: Nuk e di se çfarë do të ndodhë në Komitetin e Ministrave. Nuk është fusha ime e përgjegjësisë. Unë jam anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe vendimi ynë është i qartë: Ne i bëjmë thirrje Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Por, disa deputetë e kanë përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin duhet ta formojë Kosova. A mendoni se ai mund të bëhet pengesë?

Oleksiy Goncharenko: Shpresoj të mos bëhet pengesë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KETU