Gara: Zgjidhja e fatit të të pagjeturve mbetet Beogradi zyrtar
Foto: Laura Hasani

Gara: Zgjidhja e fatit të të pagjeturve mbetet Beogradi zyrtar

Aktuale April 26, 2024 - 18:26

Nesër shënohet Dita Kombëtare për të Pagjeturit.

Janë bërë 25 vjet kur ende nuk dihet fati i mbi 1600 personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka folur për personat e pagjetur, pikërisht kur nesër shënohet Dita Kombëtare për të Pagjeturit, ku në vazhdimësi po kërkohet zbardhja e fatit të tyre.

Gara, lidhur me këtë tha se tashmë është bërë traditë shënimi i kësaj date përkujtimore për të pagjeturit, ku kanë kaluar 25 vjet dhe ende nuk dihet për fatin e tyre, ndonëse, shtoi ai, është bërë aktivitet në zbardhjen e fatit të tyre e që vazhdon të mbetet plagë e hapur për shoqërinë tonë.

“Megjithatë edhe në këtë çerekshekulli, çështja e të zhdukurve me dhunë vazhdon të mbetet prioritet i veçantë, aktuale, permanente, deri në zgjidhjen e plotë të saj, në kuptimin e angazhimit maksimal institucional”, deklaroi Gara në RTK.

Tutje, duke folur për diskutimet e organizuar nga Institucioni i Avokati i Popullit dhe nga tryeza e organizuar dje nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, për temë të veçantë ka pasur çështjen e ligjit për personat e zhdukur, Gara vuri në pah se në Kosovë gjatë luftës janë zhdukur më shumë se 6000 persona dhe aktualisht 1597 sish që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur.

Gara tha se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë të jetë i angazhuar dhe në koordinim të plotë me shoqatat dhe familjarët e të zhdukurve për të dinamizuar procesin.

“Megjithatë, çështja e fatit të të pagjeturve nuk është çështje mëshire. Zgjidhja e saj mbetet Beogradi zyrtar”, deklaroi Gara.