DASH: Escobari s’do të jetë më i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor
Foto: Laura Hasani

DASH: Escobari s’do të jetë më i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

Aktuale May 07, 2024 - 19:27

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Gabriel Escobar nuk do të shërbejë më si i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas DASH-it, zyrtarët e shërbimit të jashtëm marrin detyra me rotacion çdo një deri në katër vjet dhe Escobari do të marrë detyrë të re.

Në një përgjigje për Euronews Albania, DASH-i ka mohuar se Escobari është shkarkuar për shkak “të lidhjeve me Serbinë”, një aludim që u përhap në rrjetet sociale.

“Zv. Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë zyrtarët e karrierës të Shërbimit të Jashtëm marrin detyra me rotacion çdo një deri në katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt. Si zyrtar i Shërbimit të Huaj, Zv. Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij të tanishëm për tre vjet dhe ka ardhur koha për kalimin në detyrën e radhës në javët e ardhshme. Deri në transferimin e planifikuar, ai vazhdon të luajë rolin e Zv. Ndihmës Sekretarit dhe i Dërguar i Posaçëm në zyrën e çështjeve të Euro-Azisë dhe si i dërguar i posaçëm për çështje të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigjet e DASH-it të martën.

DASH-i ka thënë se do të vazhdojë të luajë rol aktiv në përkrahje të dialogut Kosovë – Serbi.

“Uashingtoni është në të njëjtën linjë me partnerët evropianë dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në përkrahje të dialogut. SHBA mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE si rruga për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet tutje në përgjigje.