ATK-ja inkason mbi 356 milionë euro për katër muaj, gati 39 milionë më shumë se vjet
Foto: Laura Hasani

ATK-ja inkason mbi 356 milionë euro për katër muaj, gati 39 milionë më shumë se vjet

Ekonomia May 03, 2024 - 11:57

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka inkasuar 356.5 milionë euro, ose 38.9 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janar - prill.

Sipas njoftimit të ATK-së, përmbushja vullnetare e obligimeve tatimore vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit të paguajnë shumën e saktë tatimore dhe duke ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj tatimpaguesve mospërmbushës.

“Administrata Tatimore të Kosovës vazhdon me trendin rritës të të hyrave, ku vetëm për periudhën janar-prill 2024 ka arritur të mbledhë 356.5 milionë euro, ose 38.9 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ose shprehur në përqindje 12.3%. Ndërsa në raport me planin kemi tejkalim të planit për 7.9 milionë euro, ose 2.3%. Reformat e realizuara vitet e fundit, ofrimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave. ATK-ja u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve t’i kryejnë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i gjobave dhe ndëshkimeve të parapara me ligj, gjithashtu falënderon të gjithë tatimpaguesit, të cilët i kryejnë saktë dhe me kohë obligimet tatimore”, thuhet në njoftim. /Zëri