Këta janë deputetët më të pasur

Aktuale July 24, 2016 - 12:38

Deputetët me të ardhurat e tyre vazhdojnë të jenë shumë herë më të pasur se qytetarët e varfër të Republikës së Kosovës, të cilët i kanë zgjedhur me votat e tyre këta deputetë, të cilët po pasurohen çdo vit e më shumë.

Me fitimet tyre sigurisht që jua kanë zili edhe shumë biznesmen nga Kosova.  Disa nga ta së bashku me bashkëshortet e tyre, kalojnë të ardhurat vjetore mbi 100 mijë euro. Kjo bie që ata të marrin në vit mbi 1400 paga të një pensionisti apo rasti social.

Përveç kësaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë luksin të zgjedhin për të marrë pjesë apo jo në seancat e Kuvendit, pasi që të ardhurat i kanë të garantuara.

Ndër deputetet e vendit të cilët prijnë me të ardhura vjetore familjare (Deputeti së bashku me bashkëshorten) janë Faton Topalli dhe Besim Beqaj .

Faton Topalli, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion të hyra vjetore së bashku me bashkëshorten e tij në vlerë  prej  164 mijë e 173 euro. Topalli ka pagë nga SD Zurich UBS 81,523.00 dhe  Honorar nga  Zhaw Zurich UBS 3,150.00. Ndërsa pagë vjetore nga  Kuvendi Kosovës, të cilin herë e bojkoton e herë jo, Topalli  ka në vlerë prej  19 mijë e 602 euro. Nga ana tjetër, zonja Topalli ka të hyra vjetore prej 59 mijë e 898 euro nga Stodt Schaffhaisen.

Larg të ardhurave vjetore të Faton Topallit, nuk qëndron as deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Beqaj.  Deputeti Beqaj, sipas deklarimit në AKK, ka të ardhura vjetore së bashku me bashkëshorten e tij në vlerë prej  90 mijë euro. Pagë nga  Qeveria dhe Kuvendi, Beqaj brenda vitit merr 25 mijë e 605 euro.  Nga Universiteti i Prishtinës, merr pagë vjetore 8 mijë euro.  Honorar nga  Gjimnazi Cambridge në Pejë  12 mijë euro. Honorar nga Universiteti Haxhi Zeka në Peje  4 mijë e 200  euro dhe nga Kolegji AAB  pagë vjetore prej 14 mijë e 400 euro. Ndërsa bashkëshortja e tij, ka të ardhura vjetore mbi 25 mijë euro.

Edhe deputeti i pavarur dhe biznismeni Ramiz Kelmendi, është ndër deputetët me të ardhura të mëdha.  Familja Kelmendi si të ardhura vjetore të deklaruara në AKK kanë në vlerë prej 91 mijë e 602 euro.  Pagë nga Elkos shpk Pejë  54 mijë e 776 euro. Ndërsa pagë nga Kuvendi i Kosovës, 26 mijë e 190 euro. Të hyrat vjetore nga zonja Kelmendi, bashkëshortja e Ramiz Kelmendit, të deklaruara ka 10 mijë e 636 euro nga paga nga Elkos Pejë.

Pas tyre vjen deputeti tjetër i PDK-së, Bislim Zogaj ku të ardhurat vjetore i arrijnë në  shumën prej 74 mijë e 212 euro. Paga vjetore nga Kuvendi i Kosovës i kap vlerën prej  11 mijë e 433 euro (ka hyrë me vonë si deputet),  Pension invalidor MPMS, 2 mijë e 700 euro.  Zogaj merr edhe donacion nga  kompania e vëllait të tij “Kodra Enver Zogaj Komoran” në vlerë vjetore prej 35 mijë euro. Pastaj paga dhe komisione, kompensim me PTK-në, 15 mijë e 851 euro.  Ndërsa bashkëshortja e tij ka të ardhura vjetore nga ANP Adem Jashari , në vlerë prej 9 mijë e 228 euro.

LEXO EDHE: Publikohet fotoja e parë e Ilir Dedës me vajzën e tij (Foto)

Pas deputetit Zogaj, me të ardhura më të mëdha vjen kryetari i Kuvendit dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, i cili të ardhura vjetore familjare, të deklaruara, i ka në vlerë prej 65 mijë e 563 euro.  Veseli ka të deklaruara pagë nga Buxheti i Kosovës  33 mijë e 114 euro. E mëditje nga buxheti i Kosovës 1 mijë e 855 euro.  Ndërsa  bashkëshortja e tij , e cila punon në “Kobit- Pc Ced”, merr pagë vjetore prej  25 mijë e 992 euro. Ndërsa nga buxheti i Kosovës  4 mijë e 602 euro.

Pas Veselit, është deputetja e pavarur Margarita Kadriu e cila radhitët ndër deputetët me të ardhura vjetore më të mëdha. Kadriu  së bashku me bashkëshortin e saj ka të ardhura vjetore në vlerë prej 64 mijë euro.  Pagë vjetore nga Kuvendi i Kosovës Kadriu ka në vlerë prej 18 mijë e 662 euro. Ndërsa bashkëshorti i saj ka pagë vjetore nga  K.SOT  në vlerë prej  12 mijë euro dhe të hyra vjetore nga Punë kontraktuese, 33 mijë e 405 euro.

Pas Deputetes Kadria vjen deputeti tjetër i PDK-së, Rafet Rama i cili është nder deputetët me të ardhurat vjetore më të mëdha, në vlerë prej  58 mijë euro. Rama pagë vjetore nga Kuvendi i Kosovës merr 21 mijë e 533 euro. Pagë si invalid i  luftës, 3 mijë e 816 euro. Pagë nga Ria Capital Prishtinë, 6 mijë euro dhe 300 euro nga qiraja. Ndërsa bashkëshortja e tij i ka deklaruar të hyra vjetore nga Posta e Kosovës, në vlerë prej 26 mijë e 700 euro.

Në renditje është deputeti i PDK-së nga radhët e Lëvizjes për bashkim, Raif Qela. Ai dhe bashkëshortja e tij kanë deklaruar të hyra vjetore në vlerë prej 51 mijë e 789 euro. Pagë vjetore nga  PTK  15 mijë e 637 euro. Pagë nga Kuvendi i Kosovës  20 mijë e 935 euro.  Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar pagë vjetore nga PTK në vlerë prej 15 mijë e 217 euro.

Pas këtyre vjen deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj i cili ka të deklaruara të hyra vjetore në vlerë prej 49 mijë e 671 euro. Paga dhe mëditje nga Kuvendi i Kosovës 22 mijë e 671 euro.  Të hyra nga qiraja e shtëpisë 27 mijë euro.  Ndërsa mëditje për udhëtim zyrtar jashtë shteti,  724 euro.

Me të ardhura vjetore, nuk qëndrojnë keq as deputetët e LDK-së, si, Alma Lama (tani e larguar nga ky postë dhe e emëruar ambasadore e Kosovës në Romë) dhe deputeti  Arben Gashi.  Alma Lama i ka të deklaruara së bashku me bashkëshortin si të hyra vjetore, 46 mijë euro. Pagë vjetore nga Kuvendi i  Kosovës, 17 mijë  euro. Ndërsa bashkëshorti i saj ka të hyra vjetore nga QKUK 9 mijë e 600 euro dhe 20 mijë euro nga  “ Fitimi LAB Analiza”.

E  Arben Gashi ka deklaruar të hyra vjetore në vlerë prej  43 mijë e 128 euro.  Gashi nga  AAB – Riinvest ka të hyra vjetore në vlerë prej 10 mijë e 635 euro. Pagë vjetore nga  Kuvendi i Kosovës, 20 mijë e 332 euro. Ndërsa bashkëshortja e tij ka pagë vjetore nga BQK në shumën prej 12 mijë e 161 euro.

Lista vazhdon përsëri me deputetë të PDK-së. Deputeti Hajdar Beqa ka të deklaruara së bashku me bashkëshorten e tij, të hyra vjetore prej 44 mijë e 445 euro. Pagë vjetore nga N.H Iber Lepenc,  4 mijë e 468 euro. Edhe ky është i deklaruar si invalid i luftës dhe merr nga MPMS 2 mijë e 973 euro. Pagë vjetore nga Kuvendi i Kosovës 22 mijë e 985 euro. Mëditje nga  Kuvendi i Kosovës, 459 euro.  Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar si pagë vjetore nga NH Ibër Lepenc në vlerë prej 14 mijë e 019 euro.

Edhe deputeti nga Vetëvendosje Mytaher Haskuka ka të hyra vjetore prej 43 mijë e 148 euro. Pagë vjetore nga Universiteti i Prishtinës 1 mijë e 979 euro. Ndërsa nga Kuvendi i Kosovës 20 mijë e 271 euro.  Bashkëshortja e tij ka të deklaruara si të hyra vjetore, një pagë nga Kompania private 18 mijë e 800 euro.  Dhe të ardhura nga shërbimet në Kompaninë Private BKT në vlerë prej  2 mijë e 098 euro.

Sala Berisha-Shala nga PDK-së, ka të ardhura vjetore prej 43 mijë e 548 euro. Paga e mëditje nga  Kuvendi i Kosovës ka 22 mijë e 894 euro. Pagë nga  K.E. Juridika Prishtinë 1 mijë e 036 euro dhe mëditje nga  NGA U.Z Kuvendi 309 euro. Ndërsa të hyrat vjetore të bashkëshortit të saj nga Paga+mëditje janë 17 mijë e 980 euro dhe 1 mijë e 638 euro nga qiraja.

As  Besnik Bislimi nga VV-ja nuk qëndron fare keq me të ardhura, pasi që ka të ardhura vjetore në vlerë prej 42 mijë e 516 euro. Të ardhura vjetore nga Kuvendi i Kosovës ka 7 mijë e 903 euro.  Paga RIT Kosovo Prishtinë 18 mijë e 865 euro dhe honorar prej Helvetas Prishtinë 5 mijë e 130 euro. Ndërsa honorar nga OECD Paris, 1 mijë e 103 euro. Bashkëshortja e tij, ka të hyra vjetore në vlerë prej 9 mijë e 515 euro.

Pas Besnik Bislimi me të ardhura vjetore më të mëdha renditen deputetja nga LDK,  Vjosa Osmani me 41mijë e 588 euro. Pagë dhe mëditje nga Kuvendi i Kosovës  20 mijë e 328 euro. Nga AUK 5 mijë e 130 euro. Pagë nga University of Pittsburg Pittsburg, 4 mijë e 870 euro. Ndërsa paga vjetore e bashkëshortit të saj nga buxheti i Kosovës është në vlerë prej  5 mijë e 600 euro. Ndërsa qiraja e bashkëshortit nga patundshmëritë Patundshmëritë Adelaide, Australi CBA, 5 mijë e 660 euro.