Reagojnë mediat serbe: Pse Biden nuk e respektoi flamurin tonë si atë të Kosovës (Video)

Aktuale August 17, 2016 - 20:13

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joseph Biden, gjatë vizitës së fundit në Beograd, në pritjen ceremoniale para pallatit “Serbi”, në parakalimin para gardës kombëtare, nuk kishte parë fare flamurin serb.

Ky veprim i zëvendëspresidentit amerikan, ka ngjallur reagime të mëdha tek mediat serbe. 

Udhëheqësit e protokollit në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, në një deklaratë kanë thënë se është obligim që pas himnit të flamurit, pas kalimit nëpër tepihun e kuq para gardës ushtarake të Serbisë, të ndalet para flamurit serb dhe kërkohet që ta përkul kokën.

Në rastin e Biden-it, ai vetëm ka kaluar, ndërsa kryeministri i Serbisë është ndalur për ta respektuar këtë flamur.

Në vizitën e parë të numrit dy të Amerikës, siç raportojnë mediat serbe, gjatë kohës kur president i vendit ishte Boris Tadiq, Biden kishte përshendetur flamurin serb, pasi ish kreu i Serbisë e kishte udhëzuar me dorë, transmeton lajmi.net

Në një tekst të mediumit serb “B92” paraqitet se si lider të tjerë botërorë, gjatë vizitës në Serbi, kanë përshëndetur flamurin serb. Bëhet fjalë për kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin e Kinës, Xi Jinping dhe atë rus Vladimir Putin.

Në disa tituj të mediave serbe është shkruar se si Biden gjatë vizitës në Kosovë e ka bërë të kundërtën, pra e ka përshëndetur flamurin e Kosovës, por vetëm duke e vënë dorën në zemër. Por në rastin e arritjes së Biden-it në aeroportin e Prishtinës, garda ceremoniale FSK-së, mbante dy flamujt, atë të Kosovës dhe ShBA-së, gjë që nuk ka ndodhur në Serbi, pra aty ndodhej vetëm flamuri serb.

Në sqarimet e protokollit për pritje të presidentëve të huaj në SHBA, në disa raste, thuhet se kur një lider i një shteti tjetër viziton Shtëpinë e Bardhë në Uashington, përveç pjesës tjetër ceremoniale, aty vendosen edhe flamujt e dy shteteve, të atij nikoqir edhe të shtetit të mysafirit.

Raste të njëjta të protokollit të vizitave ndërshtetërore kanë edhe shumë shtete tjera. E në rastin e vizitës së liderëve botërorë në Serbi, prezenca e vetme e flamurit të shtetit nikoqir pa atë të mysafirit, ka gjasa Biden të mos ndalet për ta përshëndetur këtë simbol shtetëror.

Image