Biden ka adresuar kritikën më të rëndë që dikush ai ka bërë Kosovës ndonjëherë

Aktuale August 17, 2016 - 21:58

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës së tij në Kosovë dha mesazh të qartë për liderët politikë se sfidë për shtetin më të ri mbetet luftimi i korrupsionit.

“Largoni zyrtarët e dënuar, nga detyrat e shërbimit publik. Korrupsioni është kancer për çdo shoqëri. Nëse nuk trajtohet, atëherë zhvillimi i vendit nuk do të jetë i mundshëm”, ka thënë Biden.

Ai po ashtu përmendi edhe çështjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë të Demarkacionit me Malin e Zi, për të cilat tha se janë punë që duhet të kryhen.

Ndërkaq, nga analistët është vlerësuar si vizitë e rëndësishme për Kosovën.

Analisti politik, Halil Matoshi ka thënë për “zeri.info”, se nënkryetari Joe Biden ia ka adresuar Qeverisë së vendit, kastës aktuale politike kritiken ma të rëndë që dikush ia ka bë ndonjëherë.

“Nënkryetari Joe Biden ia ka adresuar Qeverisë së vendit, kastës aktuale politike kritiken ma të rëndë që dikush ia ka bë ndonjëherë: "Mund te ecni përpara vetëm nëse e luftoni pandeshkueshmërinë, krimin dhe korrupsionin. Nuk ka rrugë tjetër për Kosovën." Dihet kush e ka instalua në Kosovë kulturën e mosndëshkimit dhe dihet kush vazhdon të jetë i pandëshkueshëm. No Comment. Asociacioni dhe demarkacioni janë obligime ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës dhe këto dy tema duhet të përmbyllen në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me koncensus kombëtar. Porse shtrohet dilema nëse Qeveria e Kosovës është e aftë për këtë ose jo”, ka thënë Matoshi.

Vizita e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Kosovë dhe në Serbi është e dobishme dhe ai vjen me mesazhe të duhura për të dyja palët, si për Serbinë dhe për Kosovën. Kështu ka thënë për ‘Zeri.info’, analisti politik Azem Vllasi.

 “Unë mendoj se vizita e Biden-it në Kosovë është e dobishme, sepse të dyja palëve u jep disa detyra shtëpiake. Së pari Serbisë do t’i sugjerojë se si duhet të pranojë realitetin e Kosovës, ndërsa Kosovës se si duhet t’i normalizojë marrëdhëniet ndërmjet vetes”, ka thënë Vllasi për "Zërin".

Sipas tij, zëvendëspresidenti do t'i japë Kosovës rekomandime që të mos shkaktojë probleme të brendshme dhe të mos destabilizojë shtetin në lidhje me demarkacionin.

Biden ka arritur mbrëmë në Kosovë, ndërsa gjatë ditës se sotme  është takuar me Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe Kryeministrin, Isa Mustafa.