A e dini sa deputetë lexojnë libra? Shifra do t’ju habisë

Aktuale August 18, 2016 - 19:37

Shifrat që publikon politologu Afrim Krasniqi janë të frikshme. Më të frikshme se shifrat e politikanëve që merren me drogë. Nga 140 që kemi në parlament, vetëm 3 prej tyre lexojnë libra. Në bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë janë anëtarë 7 deputetë, por vetëm 3 prej tyre tërheqin libra.

Ky është bilanci i një Kuvendi ku përfaqësuesit e popullit nuk zgjidhen falë formimit të tyre, por falë parasë, forcës, etj.

Por në raport me librin, Krasniqi thotë se shqiptarët po e braktisin çdo ditë e më shumë të, pasi më shumë se gjysma e qytetarëve sot nuk kanë as librari dhe as bibliotekë.

“Nëse eurodeputetët përdorin bibliotekat për të marrë arkiva, të dhëna që i duhen për fjalimet e tyre dhe për punën e tyre, në Shqipëri ndodh që maksimumi 7 deputetë kanë vizituar bibliotekën e parlamentit”, tha Krasniqi.

Ai ngre shqetësimin e mungesës së interesit të leximit në masë. Sipas të dhënave më shumë se gjysma e qyteteve nuk kanë as librari dhe as bibliotekë në zonat ku banojnë. Më shumë se gjysma e universiteteve nuk kanë sallë leximi në biblioteka, më shumë se 2/3 e shkollave tona nuk kanë klube leximi.