Ky është mesazhi i Hashim Thaçit

Aktuale August 18, 2016 - 20:03

Në një paraqitje të drejtpërdrejtë, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka folur për vizitën e nënpresidentit të SHBA-ve, Joe Biden, duke thënë se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, la mesazhe të qarta gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Një prej tyre është se vendi duhet t’u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura, përfshirë edhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Pas vizitës së tij, që konsiderohet shumë e rëndësishme për vendin, presidenti Thaçi sonte i është drejtuar me një mesazh qytetarëve të Republikës, duke folur për zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë.

Presidenti u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të votojnë demarkacionin.

“Përfitoj nga ky rast që të dërgoj një mesazh për deputetët e Kosovës, ditën kur të ratifikohet Demarkacioni, dua ta dini se keni një përgjegjësi të madhe në supet tuaja, duhet të dëshmoni dhe ju takon se Kosova respekton të drejtën ndërkombëtare dhe nuk ka pretendime kufitare ndaj asnjë shteti”, ka thënë Thaçi. Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve që të mos sakrifikojnë të ardhmen e Kosovës, duke shtuar se qëllimi dhe vizioni i Kosovës është që të jemi anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. /ZERI/

Më poshtë po e japim fjalimin e plotë të presidentit të vendit, Hashim Thaçi:

Të dashur qytetarë,

Shteti ynë, Kosova, po vazhdon përpjekjet për konsolidimin dhe forcimin e identitetit shtetëror.

Kosova është njohur nga pjesa dërmuese e shteteve të botës dhe është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare.

Viti 2016 është vit europian për NE.

Përmbyllëm Marrëveshjen  e Stabilizim-Asocimit dhe morëm rekomandimin për liberalizimin e vizave, u anëtarësuam në UEFA dhe FIFA.

Morëm pjesë për herë të parë në Olimpiadë dhe u kthyem me medalje të artë.

Kosova u bë kampione olimpike.

Faleminderit Majlindë, krenohemi me ty.

Përfaqësuesja e futbollit kosovar në ditët e ardhshme do të fillojë garat në kuadër të kualifikimeve për kampionatit europian dhe botëror.

Besojmë në talentet kosovarë, të cilët janë bërë krenaria e jonë në çdo cep të botës.

Ashtu siç e ngriti në piedestal flamurin e Kosovës Majlinda, në momentin që ju bashkoni talentin tuaj, jam i sigurt se edhe ju do të shkëlqeni.

Dhe unë do t’iu mbështes gjithmonë.

 Të dashur qytetar,

Në rrafshin politik dhe institucional Kosova është në udhëkryq historik.

Të marrë vendime jo të lehta, por të drejta, dhe të lëvizë shpejt drejt zhvillimit ekonomik e integrimeve euro-atlantike,

Apo, të qëndroj pasive duke mbetur peng i së kaluarës të dhimbshme.

Por, nga e kaluara duhet të nxjerrim mësime dhe të kuptojmë se cilët janë miqtë tanë të vërtetë.

Kemi pasur besim në këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prandaj firmosëm Rambujenë.

Ishte vendim i vështirë por historia e dëshmoi se ishte vendim i duhur.

Kemi dëgjuar këshillën e aleatëve tanë amerikanë dhe europianë dhe kemi pranuar “Pakon e Ahtisaarit” dhe bëmë shumë mirë sepse kjo mundësoi pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, edhe sot askush nuk duhet të vërë në dyshim vullnetin e mirë, dashamirësinë dhe suksesin e këshillave të marra nga aleatët tanë strategjik.

Përfitoj nga ky rast të përcjell një mesazh për deputetët të Republikës së Kosovës.

Ditën kur do të votohet për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, ta dini që keni një përgjegjësi të madhe historike mbi supet tuaja.

Ju do të keni në dorë të dëshmoni që Republika e Kosovës është një shtet serioz që iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare.

Juve ju takon të tregoni që Republika e Kosovës është shtet paqedashës, që respekton të drejtën ndërkombëtare, që synon të ndërtojë një fqinjësi të mirë dhe nuk ka pretendime territoriale kundër asnjë shteti.

Prandaj, respektoni marrëveshjen e institucioneve shtetërore të Kosovës e cila është në përputhje me interesin shtetëror.

Votoni që ta ri-konfirmoni orientimin tonë gjeostrategjik dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatëve perëndimorë europianë dhe vizionit tonë për integrime Euro-Atlantike.

Mos e sakrifikoni të ardhmen tuaj dhe të mbarë Kosovës për hir të interesave partiake ditore.

 Të nderuar qytetarë

Qëllimi dhe vizioni ynë është që të jemi sa më shpejtë anëtar i NATO-së dhe Bashkimit Europian, e një ditë jo të largët edhe në Kombet e Bashkuara.

Kosova, duke u bërë shtet i pavarur dhe sovran, përveç privilegjeve ka marrë mbi vete edhe përgjegjësitë ndërkombëtare.

Pa marrjen e këtyre përgjegjësive, Kosova as nuk do të behej e lirë, as sovrane e as nuk do ta kishte mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare.

Parakusht për të ardhmen evropiane është fqinjësia e mirë.

Para një viti Kosova nënshkroi marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin  e Zi.

Kam respektuar dhe dëgjoj me vëmendje çdo opinion dhe diskutim prej kujtdo çoftë për këtë çështje.

Por, dua ta them shumë hapur se keq-përdorimi i kësaj agjende për përfitime politike apo për politikë ditore, është kauzë e rrejshme dhe mbi të gjitha e rrezikshme.

Marrëveshja është e drejtë dhe e konfirmuar nga ekspertë të shquar vendor dhe ndërkombëtarë.

E them me bindje të plotë se Kosova nuk ka humbur asnjë metër katror të territorit të saj.

Nuk është cenuar asnjë pronë private apo e drejtë për shfrytëzimin e pronave publike.

Të dashur qytetarë

Çdo vonesë për ratifikim nga Parlamenti i Kosovës, e minon të ardhmen evropiane të Kosovës.

I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në “zonën shengen”.

Por, ky nuk është dëmi i vetëm.

Ky do të ishte vetëm fillimi i dëmeve që do të pasonin.

Sepse nëse deshtojmë në ratifikimin e marrëveshjes, atëherë do vonohemi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shtyhet për një kohë të pacaktuar procesi i integrimin në  NATO-s.

Për më tepër, askush në botë nuk na përkrah në acarimin e raporteve me një vend fqinj që gjithnjë na ka përkrahur siç është Mali i Zi e që ka marrë ftesën të bëhet anëtar i NATO-s.

Ne duhet të vazhdojmë raportin strategjik të fqinjësisë dhe vlerave euro-atlantike me Malin e Zi.

Ne nuk mund të korrigjojmë padrejtësitë historike tani.

Por mund ta sigurojmë të ardhmen euro-atlantike.

 Edhe Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të implementohet.

E kjo do të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës.

Nuk kemi pse t’i frikësohemi asaj që e lejon dhe e garanton vet Kushtetuta e jonë.

E kemi larguar çdo rrezik për ndarje të Kosovës apo për krijimin e ndonjë autonomie.

Diçka e tillë nuk do të ndodhë kurrë në Republikën tonë.

Ata që dikur ishin në barrikada dhe angazhoheshin për ndarjen e Kosovës, sot kanë pranuar institucionet tona dhe janë pjesë e tyre në nivel qendror e komunal.

Prandaj, edhe politizimi i kësaj çështjeje nuk është tjetër veç se farsë e politikes elektorale, për fitimin e ndonjë pike politike por edhe për linçimin e oponentëve politikë.

Edhe një gjë për këtë.

Mund të ketë mospajtime për politikat apo për rezultatet e politikave tona.

Por, besoj që të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, fëmijëve të tyre, gjeneratave që do të vijnë, pajtohen se dhuna dhe kërcënimi nuk kanë vend në Kosovë.

Është e papranueshme që për motive politike të sulmohen zyrtarët e shtetit të Kosovës, të sulmohen institucionet dhe ndërtesat e shtetit të Kosovës.

Kjo nuk do të tolerohet.

Dhuna i përket të kaluarës.

E ardhmja është në paqe, dialog, pajtim dhe bashkëpunim.

Vetëm duke i integruar komunitetet, e largojmë ndikimin e Serbisë nga Kosovë.

Vetëm duke bashkëpunuar me fqinjët, integrohemi në NATO e BE.

Pra, të dashur qytetar, zgjidhjet para nesh janë shumë të qarta:

Integrim ose izolim.

Unë, bashkë me Ju, jam i përcaktuar për integrimin e Kosovës në familjen euro-atlantike.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.