Mustafa e pranon se ka probleme me votat për demarkacion, ngrit dilema edhe për PDK-në dhe partnerët tjerë

Aktuale August 18, 2016 - 23:17

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i LDK’së, Isa Mustafa, i është përgjigjur kryetarit të Kuvendit, njëkohësisht kreut të PDK’së, Kadri Veseli, pasi ky i fundit, në një paraqitje televizive, la të kuptohet se LDK ka problem me votat për ratifikimin e demarkacionit.

Mustafa ka shkruar në faqen e tij zyrtare në Facebook se si shef i Qeverisë mundohet të shtyjë përpara agjendën zhvillimore dhe integruese të Kosovës, por thotë se ai kur është fjala për tema të ndjeshme, nuk preferon të testojë fuqinë e votave, shkruan Gazeta Express.

Ai thotë se është duke punuar që të sigurojë votat për ratifikimin e marrëveshjes dhe pret që një gjë të tillë të bëj edhe partneri i tij i koalciionit, PDK.

Ky është postimi i plotë i Mustafës:

Të dashur miq, Qeveria që unë drejtoj është e përcaktuar ta çoj përpara agjendën zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Ne kemi program, të cilin po e zbatojmë, pavarësisht problemeve të trashëguara dhe sfidave e pengesave me të cilat po ballafaqohemi. Por, ne jemi këmbëngulës për arritjen e qëllimeve, të cilat jemi të bindur se janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Qeveria që unë drejtoj gëzon mbështetjen e një shumice solide në Kuvendin e Kosovës. Por, si kryeministër dhe si njëri prej partnerëve kryesor të koalicionit, për tema të ndjeshme, nuk preferoj asnjëherë të testojë fuqinë e votave. Unë po kujdesem vazhdimisht dhe sinqerisht për t'u siguruar që Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi do të mbështetet nga mbi 80 deputetë. Në LDK është duke u sqaruar gjthçka rreth kësaj çështjeje dhe jam optimist se do të jemi unik në mbështetjen e ratifikimit të marrëveshjes. Jam optimist se edhe partnerët e koalicionit po bëjnë të njëjtën gjë me deputetët e tyre.