Mustafa u bën thirrje deputetëve të ratifikojnë Demarkacionin

Aktuale August 19, 2016 - 20:16

Pas mesazhit publik të presidentit Hashim Thaçi, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u është bashkuar thirrjeve, drejtuar posaçërisht deputetëve të Kuvendit, për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Thirrjet publike të Thaçit dhe Mustafës pasojnë vizitën e nënpresidentit amerikan në Kosovë, Joe Biden, i cili mes tjerash kërkoi që të bëhet kthesë në raportet me fqinjët, duke përmbyllur demarkacionin me Malin e Zi dhe vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në këtë kuadër, Mustafa u zotua se qeveria do të zbatojë një nga obligimet e marra në dialog me Serbinë që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zotimet e tij, Mustafa i ka bërë gjatë mbledhjes së qeverisë së Kosovës.

“Qeveria konsideron se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me Marrëveshjen për shënimin ë kufirit me Malin e Zi, të cilin e ka administruar në kushtet mbi të cilat është shpallur pavarësia e saj”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka vlerësuar lartë përkushtimin e SHBA-së për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ekspertizën e Departamentit të Shtetit.

“Besimi i qytetarëve të Kosovës për SHBA-të është i madh dhe i palëkundur, prandaj Qeveria beson shumë se deputetët do të veprojnë në harmoni me strategjitë të cilat i kemi ndërtuar dhe po i ndërtojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo veprim tjetër nuk është në interes të Kosovës, të sovranitetit të saj dhe të integritetit territorial”, është shprehur Mustafa.

Kryeministri ka pranuar se qeveria dhe institucionet në përgjithësi nuk kanë arritur ta njoftojnë sa dhe si duhet opinionin në lidhje me çështjen e Demarkacionit.

“E vërteta është se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm. Se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave me kërkesë që paraprakisht të ndodh shënimi i kufirit me Malin e Zi, por po ashtu u tha se as Komisioni Evropian dhe as Bashkimi Evropian nuk do të marrë vendimin, të cilin duhet ta marrin institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”,ka deklaruar Mustafa.

Njëherësh, sipas kreut të qeverisë, adresimi i këtyre çështjeve do t’i hapte udhë përkrahjes edhe më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për proceset vitale të Kosovës, siç është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

“Siç vlerësoi edhe zëvendëspresidenti Biden, sukseset në Kosovë nuk do të jenë vetëm suksese të Kosovës dhe suksese për Kosovën, por ato do të reflektohen edhe në rajon dhe më gjerë, do t’i ndihmojnë mirëqenies, paqes dhe stabilitetit global”, ka thënë Mustafa.

Tutje, kryeministri i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e dukurive negative, të cilat i vuri në theks edhe nënpresidenti amerikan.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen në të gjitha poret e shoqërisë dhe duhet të vazhdohet me masa konkrete ndaj të gjithë punonjësve dhe bartësve të pozitave të larta në institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët bien në konflikt me ligjin, nuk e zbatojnë ligjin, ose atë e zbatojnë në mënyrë të gabuar”, ka theksuar Mustafa.

Çështje tjetër, sipas Mustafës, mbetet edhe angazhimi për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konkluduar se Asociacioni është bërë obligim për Kosovën, sepse është ratifikuar me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë si marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Qeveria, sipas Mustafës, duke marrë parasysh se është caktuar ekipi menaxhues, do të punojë që Asociacioni të themelohet, duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjen e parë të ratifikuar me Ligj. (REL)