Haradinaj: Amerika do jetë me ne, sido që e votojmë demarkacionin

Aktuale August 22, 2016 - 22:26

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, sipas liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i qëndrojnë pranë Kosovës pavarësisht se a ratifikohet demarkacioni me 1 shtator apo jo.

Sipas Haradinajt, është koha që Kosova ta korrigjojë gabimin që ka bërë me demarkacionin dhe të mos përdoret dhunë në parlament, sepse kështu, po cenohet demokracia.

“Nëse ne e dhunojmë parlamentin më nuk ka demokraci ky vend. Gabimi buron te komisioni ynë shtetëror, i cili nuk e di se nga buron. Interesi i Kosovës nuk është ta korrigjojnë gabimin për demarkacionin. Nuk ka version tjetër, kufiri është në Çakorr. Kam besim që Mali i Zi e din si ka ndodhur gabimi. Kemi komunikim me secilin dhe ata nuk nxitohen. Dhe nëse parlamenti e rrëzon duhet të fillojnë procedurat për zgjidhjen e kësaj çështje. Biden tha se sido që të votoni ne jemi me ju”, ka thënë Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin Zona B në Klan Kosova.

“Pa një gjë të tillë, s’mund të arrihet asgjë, edhe pse SHBA-të do të rrinë krah për krah me Kosovën”, kishte deklaruar Joe Biden, nënkryetari amerikan, gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, javën e kalaur.