Banesat sociale në Hajvali ende nuk janë gati (Foto)

Aktuale August 26, 2016 - 23:11

Janë  bërë 3 vite prej se kanë filluar të  ndërtohen  banesat sociale për kosovarët me asistencë sociale dhe për  kategoritë e dala nga lufta.

Këto objekte banimi në lagjen “Hajvalia”, të Prishtinës ende nuk i gëzojnë banorët nevojtarë shkruan zeri.info.

Në Komunën e Prishtinës  thonë se ndërtimi i këtyre banesave ka përfunduar diku nga gjysma e vitit 2015, e  vetëm muajin  e kaluar është diskutuar vendimi për caktimin e komisionit për shpërndarjen e banesave.

Sipas Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Arben Vitia këto vonesa kanë ndodhur për shkak të mungesës së planeve  për kushte elementare në projektin e ndërtimit të banesave.

 “Ndërtimi i tyre në fakt ka përfunduar me herët (diku nga fillim-gjysma e vitit 2015), por jemi vonuar pasi qe në projekt nuk kanë qenë të parapara disa kushte elementare për banim si kanalizimi dhe energjia elektrike”, është shprehur Vitia.

Ai tutje ka thënë se  plani i kanalizimit është dashur të projektohet në një projekt të veçantë në bashkëpunim me Drejtorinë e Infrastrukturës.

Vitia thotë se Kryetari Ahmeti do të ketë të drejtën ekskluzive  për caktimin e komisionit për shpërndarjen e banesave, e sipas tij anëtarët e këtij komisioni do të jenë ekspertë të fushës të cilët nuk janë të përfshirë në Komunën e Prishtinës.

Kjo në mënyrë që procesi të jetë më i drejtë deklaronVitia. Ai shton se ky komision do të caktohet ditëve ne vazhdim  e nuk jep detaje konkrete për datën e saktë.

Përveç punës së ndërtimit të këtyre banesave edhe procesi i përzgjedhjes do të jetë mjaft i gjatë, kjo sepse numri i të interesuarve për këto banesa do të jetë shumë i lartë.

“Më shumë rëndësi është që të merren të gjitha masat që përfitues do të jenë ata që kanë nevojë më së shumti dhe nuk do të lejojmë ngutje të procesit i cili do ta komprometonte këtë synim”, ka deklaruar Vitia.

Muhamet Selmani nga radhët PDK-sw nw komunën e Prishtinws ka thwnw se banesat sociale i sheh si premtim të  vazhdueshëm të çdo kandidati për Kryetarë të Prishtinës.

“Por nga faktet në terren shihet se ky është vetëm një premtim qe ka për synim te marrë votat e qytetarëve dhe as një herë nuk realizohet.  Pra si shihet nga tereni prioritet nuk është zgjidhja e problemit te banimit te qytetareve me nevoja te veçanta por vetëm dhënia e tenderit për ndërtimin e ndërtesave dhe as një herë finalizimi i tyre”, ka thënë Selmani.

 Ai tregon se edhe rasti i Hajvalisë ngjan me këto premtime  ndërkohë që një prej arsyeve që ky projekt nuk është realizuar janë inatet personale  sepse  ky ndërtim i banesave ka qenë plan i Qeverisjes Mustafa.

Selmani thotë se problemet rreth instalimeve, e kanalizimeve është dashur të përfundohen në vitin 2014 ose vitin që shkoi më së largu, kurse tregon se mjetet për këtë projekt asambleja i ka aprovuar për çdo vit.

“Mirëpo si duket këto mjete nuk i kanë mjaftuar këtij menaxhmenti dhe ka vendosur qe këto objekte qe janë me se te nevojshme për një shtresë te shoqërisë te mos i finalizoj as një herë, ose te tentoj te i përdor për fushatat e ardhshme”, shton ai.

Ndërkaq deklaron se asamblenë e shqetëson edhe infrastruktura e papërfunduar si dhe kushtet e transportit për lagjen.

Kurse Flamur Shala nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës  e mohon se këto premtime nuk janë realizuar për shkak të inateve personale, sipas tij kjo është vetëm një zhvatje që ka ndodhur.

“Ata i kanë neglizhuar në vazhdimësi këto punë, sikur që kanë neglizhuar me qeverisjen gjithandej”, ka thënë Shala për Gazetën Zëri.

 Banesat sociale ngjitur me Qendrën e Burgimit

Vonesa në ndërtim e këtyre objekteve banimi nuk del të jetë shqetësimi i tyre i vetëm. Përfituesit e këtyre banesave si fqinjë të parë do t’i kenë të burgosurit, pasi që Qendra e Paraburgimit është shumë afër.

Vitia thotë se ky fakt nuk është shqetësues vetëm për banorët por edhe për Komunën e Prishtinës.

“Kjo në fakt është shqetësuese edhe për Komunën e Prishtinës në përgjithësi, kështu që besoj se ky do të jetë shqetësim edhe për banorët që do të përfitojnë nga këto banesa”, ka thënë Vitia.

Ai tregon se edhe përkundër këtij shqetësimi në këtë drejtim nuk mund të bëhet më asgjë pasi janë vendosë në aktin e kryer.

E derisa Qeverisjen në Komunë e  shqetëson  afërsia e këtyre objekteve, opozitës duket se nuk i pengon kjo gjë aspak.

“Sa i përket qendrës se paraburgimit nuk mendoj se është shqetësuese dhe nuk duhet te jetë”, ka thënë Muhamet Selmani nga PDK-ja në Prishtinë.

Ajo që më shumtë i pengon ata është  forma dhe planifikimi i kësaj lagjeje, si dhe qendrës se paraburgimit.

Ndërkohë  përfitues  të këtyre banesave do të jenë qytetarët e Komunës së Prishtinës duke përfshirë edhe ata nga qyteti por edhe ata nga fshatrat përreth, të cilët do t’i plotësojnë kriteret në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi./Zëri

Image
Image
Image
Image
Image