LDK: Driton Çaushi dhe VV-ja dëshirojnë gjakderdhje në Kosovë si në Vlorën e 97-tës

Aktuale August 28, 2016 - 19:45

Lidhja Demokratike e Kosovës me anë të një komunikate për media ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të Vetëvendosjes Driton Çaushi që ka bërë sot ndaj kryeministrit Isa Mustafa.

Sipas LDK-së me deklaratat e tilla si të Driton Çaushit dhe kolegëve të tij nga Vetëvendosja e kanë vendin në “burgun e historisë”.

LDK duke e quajtur Driton Çaushin, Zani Çaushi i Vlorës thotë se këta nuk do të mund ta zhbëjnë shtetin e Kosovës, nuk do të mund ta pengojnë liberalizimin e vizave dhe perspektivën e Kosovës.

Komunikata e LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj deklaratës së eksponentit të VV-së, Driton Çaushi, i cili ashtu si kolegu i tij Molliqaj, dëshmoi sot edhe njëherë se kjo parti dëshiron që të rrëmbejë pushtetin për të futur në burg kundërshtarët politikë, për të larguar nga vendi ambasadorët perëndimorë dhe për të persekutuar gazetarët dhe qytetarët e tjerë që nuk pajtohen me idetë e tyre neokomuniste. Me fjalorin dhe idetë e tij kriminale të shpërfaqura sot, Driton Çaushi ka dëshmuar se ka të njëjtat qëllime si Zan Çaushi i Vlorës në vitin 1997, dhe në fakt, duke parë veprimet e deritashme VV po përpiqet të shkaktojë të njëjtën gjakderdhje në Kosovë. Çaushi ka risjellë në kujtesë akuzat e fabrikuara e imagjinare të bashkëpartiakëve të tij në Komunën e Prishtinës, njerëzve që kanë punësuar në kundërshtim me ligjin mbi 200 hedhës molotovësh, kanë mbushur me militantë shkollat e çerdhet, ndërmarrjet komunale… Ai dhe shokët e tij me prirje piromane e shkatërrimtare, e dinë fort mirë se “70 dosjet” e famshme janë pjellë e imagjinatës së tyre e asgjë më shumë. Çaushi, në një tekst gërditës ka derdhur sërish tërë vrerin e tij histerik duke denjuar ta përmend edhe Ambasadoren e nderuar Jacobson, të cilën ai dhe shokët e tij kriminalë e sulmuan fizikisht, e bënë me shenja dhune duke ofenduar krejt popullin e Kosovës. Çaushi dhe sekti i tij antikosovar e antiperëndimor ka hyrë në fazë krize histerike, andaj populli i Kosovës duhet të mos bie pre e përpjekjes së tyre për të shkatërruar atë që gjenerata të tëra të popullit tonë e kanë ndërtuar për shumë dekada. Zan Çaushët e VV-së nuk do të mund të zhbëjnë shtetin e Kosovës, nuk do të mund të ndalin liberalizimin e vizave, nuk do të mund të lënë Kosovën shtet të izoluar, nuk do të mund të prishin miqësinë e përhershme me SHBA-të, nuk do të mund të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë…  Dritoni, Dardani, dhe krejt Zan Çaushët tjerë të VV-së e kanë vendin në “burgun e historisë” ku e kanë futur veten me përpjekjet që, për përfitime  politike dhe ambicie personale, të shkatërrojnë perspektivën e qytetarëve.