Çela: Kundërshtuesit e Demarkacionit, jo konsistentë dhe me qasje të ngushtë

Aktuale August 29, 2016 - 22:12

Gjeografi Tomor Çela ka thënë se ekspertët që e kundërshtojnë marrëveshjen e demarkcionit me Malin e Zi janë jo konsistentë në qëndrimet e tyre, kanë qasje të ngushtë dhe janë edhe jo profesionalë.

Çela ka thënë se është tentuar të bëhet kauzë politike një çështje krejt profesionale.

“Edhe pse është krejt çështje profesionale shndërrohet në kauzë politike, por nuk e kuptoj qëndrimin e ngushtë të ekspertëve, për një problem kaq të madh. Shpesh nxjerrin argumente dhe banale vetëm për të argumentuar para qytetarëve”, ka thënë Çela në Zona e Debatit në Klan Kosova.

“Komisioni Shtetëror ka pasur një mori argumentesh, por transmetimi i tyre në publik ndoshta ka pasur një dozë të neglizhencës. Por kur i ke argumentet është pak e rëndësishme çfarë vjen nga jashtë”, është shprehur Çela.

Sipas tij, “grupi i ekspertëve nuk ka qenë konsistent në argumentet e tyre”.

LEXO EDHE: Kosova, s’e di çka po ndodh përreth kufirit (Video)

“Një rast tjetër e kemi që e kanë publikuar vet një hartë që është dërguar prej Republikës së Serbisë, aty mund të vërehet që territori i Kosovës është pa Bjelluhen dhe pa Çakorrin. Kjo është një hartë që është publikuar prej vet ekspertëve”, ka thënë Çela.

“Ka edhe doza jo profesionalizimi. Nëse humb Kosova duhet të tregojnë ku humb Kosova”, është shprehur ai.

Madje Çela ka thënë se njëri nga ekseprtët që e kudnërshton versionin e tanishëm të Demarkcionit, Florim Isufi, më herët kur kanë punuar bashkë në projekt ka pasur qëndrim tjetër.

“Harta për regjistrimin e popullsisë, të cilën e ka udhëhequr profesor, Florim Isufi, ka qenë e bërë nga të dhënat kadastrale që i kemi sot. Ne nuk kemi pasur të dhëna hapësinore që ai territor është pjesë e jona. Prandaj nuk e kemi futur në territorin tonë”, ka thënë Çela, njofton klankosova.

“Të gjitha qarqet regjistruese i kemi punuar bashkë, por tash Florim Isufi nuk e di përse ka ndryshuar qëndrim”, ka theksuar Çela.