QKUK me menaxher të akuzuar prokurimi

Aktuale August 31, 2016 - 08:02

Gazmend Rushiti, menaxher i Prokurimit në QKUK, është “përjashtuar” nga rregulla e shkarkimeve për zyrtarët e lartë, të cilët kanë të ngritura aktakuza. Ai megjithatë më 9 shtator 2016, në orën 13:15 do të paraqitet në seancë pasi ndaj tij rëndon aktakuzë për keqpërdorime
 

Vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për t’i larguar nga pozitat udhëheqëse të gjithë personat që janë nën aktakuzë nuk po zbatohet për të gjithë punonjësit.  

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdojnë të udhëheqin me pozita zyrtarë të lartë, ndonëse ndaj tyre rëndojnë aktakuza të ngritura nga Prokuroria.

Është Gazmend Rushiti, shef i Prokurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndaj të cilit rëndon një aktakuzë.

Ai më 9 shtator 2016, në orën 13:15 do të paraqitet në seancë që udhëhiqet nga gjyqtari Nexhmedin Sjediu, kurse prokurorja që ka ngritur aktakuzën ndaj tij është Dulina Hamiti.

Dha tender me çmim enorm të ulët

I pandehuri Gazmend Rushiti, që është menaxher i Prokurimit në QKUK, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 21 korrik 2014, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka nënshkruar një kontratë me operatorin ekonomik NT “Agimi-De”.

Ky operator, sipas provave të siguruara nga Prokuroria, kishte ofruar çmime jonormalisht të ulëta. 

Sipas aktakuzës, çmimi i ulët kishte ndikuar që kjo kompani të shpallet fituese e kontratës  për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me material për shtyp”, me çmim prej 9 mijë e 708 eurosh.

Kështu, Gazmend Rushiti sipas aktakuzës së Prokurorisë nuk e ka respektuar Nenin 61, paragrafi 1 të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili e obligon autoritetin kontraktues të dorëzojë shpjegim dhe zbërthim detal të elementeve të tenderit. 

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Gazmend Rushitin, por kjo ka qenë e pamundur. Në QKUK, ndërkohë, të pyetur se pse nuk është suspenduar edhe z. Rushiti nëse për shkak të aktakuzave ka pasur shkarkime të disa shefave, kanë dhënë një shpjegim.

 “Zyra e drejtorit të përgjithshëm ju njofton se megjithëse nuk është rast i njëjtë, nuk kemi pasur asnjë njoftim për këtë. Çështja e aktakuzave ndryshon nga rasti në rast”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së drejtorit të përgjithshëm, dhënë përmes Zyrës së Informimit. 

U shkarkuan vetëm të akuzuarit e rastit “Stentat”

Kështu, shkarkime sipas kësaj përgjigjeje ka pasur vetëm për të akuzuarit në rastin “Stentat”.

 “Në ish-rastin e cituar të aktakuzave janë përfshirë shumë zyrtarë e mjekë që mes të tjerash dyshohej për rrjet të organizuar. E njëjta aktakuzë kishte ndërlidhur edhe emra zyrtarësh dhe funksionesh publike dhe që pati pasojë dorëheqje masive në SHSKUK dhe jo vetëm në SHSKUK (por edhe një ministër). E pas kësaj pati vetëreflektim në shumicën e zyrtarëve menaxherë të SHSKUK-së në pozitat menaxheriale.”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të SHSKUK-së.

Zyra e drejtorit të SHSKUK-së sqaron se në një çështje të njëjtë kanë kërkuar aplikim të standardit të njëjtë dhe dy prej shumë menaxherëve janë suspenduar me 50 për qind me pagesë.

“Të njëjtëve u është dhënë mundësia që të kyçen si mjekë specialistë dhe për dijeninë tonë njëri ka pranuar e tjetri është në pushim vjetor për të vërtetuar më vonë pas pushimit se si do të veprojë, do të punojë ose jo si mjek specialist”, thuhet në përgjigje, duke iu referuar rastit “Stentat”.