Millorad Dodik e 'çon peshë' Bosnjën, thotë se Republika Serbe është shtet

Aktuale August 31, 2016 - 22:42

Një ditë pas thirrjes së Këshillit për implementimin e Paqes drejtuar Republikës Serbe të Bosnjës që të heqë dorë nga referendumi, ka ardhur përgjigje e ashpër nga Banjalluka.

“Referendumi është diçka për të cilin jemi pajtuar dhe ne do ta mbajmë. Vuçiqin e respektoj dhe gjithçka që kemi e bisedojmë. Qëndrimi i Serbisë është që të mbështetë Marrëveshjen e Dejtonit dhe integritetin territorial të RS”, ka thënë presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik, transmeton lajmi.net.

Deri te referendumi ka mbetur më pak se një muaj.

“Unë mendoj se referendumi nuk mund të anulohet për arsye teknike dhe politike. Ky është reagim në aksionin e Bakir Izetbegoviqit që serbëve do t’ua heqë 9 janarin. Atëherë unë do ta shtojë edhe këtë se Republika Serbe është shtet e Bosnja Hercegovina asgjë”, ka thënë ai.

Tensionet në Bosnje kanë nisur që nga momenti kur Republika Serbe është përcaktuar për mbajtjen e referendumit për “Ditën e Republikës”, gjë që Sarajeva zyrtare është deklaruar se nuk do ta lejoj.

Ky referendum shihet si fillimi i një referendumi të dytë për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja.