Mbajtja e grevës nga SBASHK-u varet nga qeveria

Aktuale September 04, 2016 - 21:57

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka paralajmëruar se do të organizojë grevë, po qe se kërkesat e saja lidhur me kontratën kolektive nuk do të përmbushen.

Mirëpo, sipas saj, krejt kjo varet nga Qeveria e Kosovës, konkretisht nga Ministria e Arsimit. Nëse ajo pranon të bëj dialog me drejtuesit e kësaj sindikate, ka mundësi që të dy palët të bien në ujdi dhe kështu të mos shkohet deri në grevë.

Megjithëkëtë, greva nuk do të nisë në fillim të muajit shtator. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë për Gazetën Zëri, se për dy arsye greva do të fillojë kah mesi i shtatorit, e jo në fillim të vitit shkollor 2016-2017.

“Grevë nuk do të ketë në fillim të shtatorit, për dy arsye: arsyeja e parë është që nuk duam të na akuzojnë se e kemi penguar gëzimin e fëmijëve të klasës së parë, e dyta është sindikale- duam të  shohim si po sistemohen kur të fillojë viti shkollor, mund të ketë edhe mungesë orësh, edhe probleme në sistemimin e mësimdhënësve”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Zëri, duke shtuar se greva mund të mbahet kah mesi i muajit shtator.

Bajrami: Kërkesat e SBASHK-ut, kompetencë e komunave

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arsim Bajrami, ka thënë se kërkesat në fjalë duhet të përmbushen nga pushtetet lokale.

“Këto dy kërkesa janë kompetencë e komunave, nuk janë kompetencë e ministrisë, sepse ministria vitin e kaluar i ka përmbushur pikat e kontratës kolektive”, ka deklaruar ministri i arsimit.

Arsim Bajrami nga kabineti qeveritar, tutje, iu është lutur sindikalistëve që ta shmangin termin “grevë”.

“Unë e kuptoj nganjëherë edhe nevojën e sindikatave për një proaktivitet dhe tradicionalisht për përdorimin e termit grevë. Por, unë ju lus miqësisht, ta shmangim këtë fjalor”, ka shtuar ai.

Përkundër kësaj, Jashari është shprehur optimist se Qeveria e Kosovës do të pranojë të bisedojë me drejtuesit e sindikatës, në mënyrë që të mos shkohet deri te greva.

“Uroj dhe besoj se qeveria do ta kuptojë situatën dhe do të ulemi në dialog, sepse unë po them nëse qeveria shpreh vullnetin për dialog, atëherë unë jam i bindur që çështja mund të zgjidhet me dialog, pa na detyruar të shkojmë në grevë”, ka theksuar kryesindikalisti Jashari.

Megjithëkëtë, siç ka thënë ai, sindikata ka shpërndarë një formular, me anë të së cilit kërkon mendimin dhe vlerësimin e mësimdhënësve, dhe sipas tij, tek atëherë do të mbahet greva.

“Që të shohim se si po vjen puna e fillimit të vitit të ri shkollor, ne kemi lëshuar në terren një formular, që kërkojmë që mësimdhënësit të deklarohen vetë edhe për kërkesat, por edhe lidhur me paralajmërimin e ministrit Bajrami, për një test të ashtuquajtur me shkrim për mësimdhënësit”, ka deklaruar ai.

Përkundër kësaj, ministri i arsimit, Arsim Bajrami, para disa ditësh pati thënë se ishin bërë të gjitha përgatitjet që më një shtator të niste mësimi nëpër shkolla.

Por, tek më 30 gusht, MASHT-i doli me njoftim të ri, me anë të së cilit njoftoi se fillimi i vitit të ri shkollor, ishte shtyrë për datën 5 shtator.

Arsyeja e kësaj shtyrjeje sipas ministrisë, kishte të bënte me mossigurimin e teksteve shkollore.

“ MASHT-i është në fazën e fundit të realizimit të procedurave ligjore për blerjen dhe sigurimin e teksteve shkollore, mirëpo për shkaqe të pamjaftueshmërisë së buxhetit për blerjen e tyre, nuk ka mundur të fillojë procedurat e blerjes dhe sigurimit të tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Nga ana tjetër, drejtuesi i SBASHK-ut Rraham Jashari, ka njoftuar, se akoma nuk dihet data e saktë se kur mund të mbahet greva e paralajmëruar.

“Datën e saktë e cakton Këshilli Drejtues që është organi më i lartë dhe janë përfaqësuesit nga të gjitha komunat dhe për grevën do të vendosim pasi t’i  shohim dhe t’i analizojmë formularët dhe deklaratat e mësimdhënësve të Kosovës”, është shprehur Jashari.

Gjatë bisedës për gazetën Zëri, Kryetari i SBASHK-ut ka paralajmëruar se nëse vihet deri te greva, do të jetë vështirë që ajo të ndalet pa pasur rezultate konkrete. Sipas tij, nga kjo më së shumti humbin nxënësit, mirëpo ashtu si Jashari është shprehur, kjo është mundësia e vetme që sipas ligjit  ta arrijnë atë që kërkojnë.

Njohësit e arsimit: MASHT-i dhe SBASHK-u, ta gjejnë një zgjidhje!

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit në Kosovë, Jusuf Thaçi, ka vlerësuar se SBASHK-u e gëzon të drejtën e plotë për të protestuar. Kjo pasi siç ka thënë ai, kontrata mes ministrisë dhe sindikatës nuk po zbatohet, sado që ende është në fuqi.

“Përderisa Kontrata Kolektive mes MASHT-it dhe SBASHK-ut është në fuqi, në ndërkohë që institucionet shtetërore nuk janë duke i përmbushur të gjitha detyrimet e tyre që parashihen me këtë marrëveshje, atëherë konsideroj që SBASHK-u ka të drejtë dhe duhet të përdorë të gjitha format e mjetet sindikale, përfshirë edhe grevën, për t'i realizuar të drejtat e mësimdhënësve që parashihen me Kontratën Kolektive”, ka deklaruar Thaçi për gazetën Zëri.

Megjithëkëtë, sipas tij, Ministria e Arsimit, bashkë me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, duhet ta arrijnë një marrëveshje.

“Qeveria e Kosovës, përkatësisht MASHT-i ose duhet t'i plotësojë detyrimet e veta të parapara me Kontratën Kolektive, e cila është nënshkruar nga MASHT-i dhe është në fuqi, ose së paku do duhej të negocionte me kohë me SBASHK-un për të arritur marrëveshje të re, në përputhje me mundësitë financiare të MASHT-it”, ka shtuar Thaçi.

Sipas ekspertit të arsimit, nga greva e paralajmëruar e SBASHK-ut, më së shumti do të humbasin nxënësit. /Zëri/