Ish-komandanti i KFOR-it: Kosova ka përparuar shumë, asnjë vend në rajon s'e ka demokracinë më të konsoliduar

Aktuale September 05, 2016 - 22:48

Ish-komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Klaus Reinhardt, ka thënë se Kosova ka bërë goxha progres nëse krahasohet me situatën në të cilën ishte pas luftës së vitit 1999.

Reinhardt po ashtu e ka cilësuar Kosovën si një vend me demokraci të zhvilluar mirë, krahasuar me vendet e rajonit që janë shtete shumë kohë para Kosovës.

“Nëse ktheheni prapa, e shikoni se nuk keni pasur asgjë dhe tani keni shumë çka, mund të thuhet se Kosova ka pasur progres të madh. Vendet e rajonit, nuk kanë asnjëra demokraci më të konsoliduar se Kosova", ka thënë Reinhardt në Klan Kosova.

Ish komandanti i KFOR-it e ka cilësuar si problematik faktin që Rusia dhe pesë shtetet e BE-së, Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe Qipro nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

“Kosova ka një problem të madh me Rusinë që nuk e njeh pavarësinë e saj, dhe po ashtu me vendet e Bashkimit Europian që nuk e njohin si shtet. Ky është një problem i madh”, ka thënë Reinhardt, njofton klankosova.