Kosova për Kartonin e Gjelbër nën “ombrellën” e huaj

Aktuale September 08, 2016 - 23:02

Mos anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është pengesa kryesore për anëtarësimin e saj në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, si polisë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës.

Për këtë, autoritetet kompetente kërkojnë nga ekzekutivi që të lobojnë tek ndonjë shtet anëtar i këtij Këshilli, që të marrë nën ombrellë Kartonin e Gjelbër të Kosovës. Kjo, sipas tyre, është alternativa e vetme për t’u anëtarësuar në këtë rrjet.

Kriteret tjera të kërkuara janë përmbushur, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës se drejtorit të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës, Gani Thaçi, duke shtuar se byroja ka dëshmuar përkushtimin dhe seriozitetin për anëtarësim të Kosovës në këtë mekanizëm.

“Ne tani kërkojmë që lobimin për ne për të hyrë në Karton të Gjelbër duhet të bëjë Qeveria, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme, që ne të futemi nën ombrellën e një shteti, siç ka bërë Mali i Zi pas pavarësimit dhe një shtet i Bashkimit Sovjetik. Këtë mund të bëjë vetëm qeveria, ne nuk mundemi edhe pse kemi lobuar në mbi 30 shtete”, ka thënë Thaçi.

Autoritetet qeveritare, thotë ai, më herët kanë bërë përpjekje që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje me Shqipërinë, por nuk kanë arritur ndonjë rezultat. Edhe pse pretendimet janë që të vazhdohet me Shqipërinë, ai thotë se angazhimet duhet të vazhdojnë me shtetin e Austrisë dhe Sllovenisë.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Si mundësi e vetme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane është që Kosova të ketëKartonin e Gjelbër të ndonjë shteti tjetër, thotë edhe eksperti për këtë çështje, Ibish Mazreku.

Ai për Radion Evropa e Lirë thotë se në këtë kuadër duhet të ekzistojë gatishmëria e të dy shteteve.

“Kjo është një alternativë që mund të jepet që Kosova të ketë Kartonin e Gjelbër, të një shteti tjetër. Për shembull, mund të jetë Shqipëria, Maqedonia, Sllovenia. Ka pas iniciativa që edhe Kosova të hyjë nën ombrellën sllovene, për shkak të reputacionit më të mirë në Këshillin e Evropës,sesa byrotë e rajonit. Kjo është e mundshme, vetëm duhet të ekzistojë vullneti i përbashkët i të dy byrove që të hyjnë në dy marrëveshje”,thotë Mazreku.

Gani Thaçi, nga Byroja e Sigurimeve, thotë se kriteret tjera të kërkuara teknike janë përmbushur, siç është baza e infrastrukturës ligjore dhegarancia për pagesat e sigurisë. Njëherësh, thotë ai, është krijuar edhe fondi garantues prej rreth katër milionë eurosh.

Sidoqoftë, deri tek anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Byrove të Evropës, të gjitha veturat me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, sipas ligjeve në fuqi,duhet të paguajnë një shumë për tarifat e sigurimeve kufitare, varësisht nga lloji i automjetet dhe koha e qëndrimit në Kosovë. Të gjitha mjetet shkojnë në kompani private.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 10 milionë euro llogaritet të jetë vlera e grumbulluar vitin e kaluar nga tarifat e sigurimeve kufitare në Kosovë.

Të gjitha këto mjete grumbullohen në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, e më pas ato shpërndahen tek kompanitë e sigurimeve, kurse nga shuma e grumbulluar vetëm Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar derdhet në Buxhetin e Kosovës. (REL)