Kështu do të mbulohen targat RKS-së gjatë kalimit nëpër Serbi (Foto)

Aktuale September 08, 2016 - 20:36

Sot në Bruksel është arritur marrëveshje për reciprocitet të plotë për targat e veturave në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe heqjen nga përdorimi të tabelave ‘prova” të cilat njëanshëm zbatoheshin nga pala serbe që nga viti 2011.

Zbatimi i kësaj marrëveshje do të fillojë menjëherë sapo të dy shtetet të bëjnë përgatitjet teknike që lidhen me këtë çështje, ndërsa modeli që do të aplikohet bazohet në modelin e aplikuar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, dallimi është që letërtngjitëset aplikohen për tabelat e veturave të të dyja shteteve, shkruan lajmi.net.

Por, si do të duken targat RKS-së sipas modelit greko-maqedon? Pasi që Maqedonia në vitin 2012 i ndryshoj targat dhe në anën e majtë vendosi shkronjat MK, Greqia nuk lejoj kalimin e kufirit me këso targa.

Kjo, pasi që Greqia nuk e njeh Maqedoninë me emrin Kushtetues, Republika e Maqedonisë, por vetëm si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM).

Kompromisi u gjet dhe Greqia lejoj kalimin e vetura me targa të Maqedonisë, por duke e fshehur me letërngjitëse simbolin MK. “Njohur nga Greqia si FYROM”, shkruan në letërngjitësen që vendoset në targat maqedone nga pala greke.

Diçka e ngjashme pritet të jetë edhe me targat RKS në momentin e kalimit të kufirit Kosovë-Serbi. Pjesë e targës ku janë të vendosura shkronjat si shkurtesë e emrit Republika e Kosovës (RKS) do të mbulohen me letërngjitëse, por nuk dihet a do të shkruhet diçka mbi atë letër. Njëjtë do të veproj edhe Kosova për targat serbe.

Deri me tash, kalimi nëpër Serbi me targa RKS ka qenë i pamundur dhe ato është dashur të hiqen dhe të zëvendësohen me targa “prova”.

Image
Image