Këto janë 9 pikat e marrëveshjes për reciprocitet në tabela

Aktuale September 14, 2016 - 21:23

Është përmbyllur marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Me këtë marrëveshje, palët janë pajtuar që tabelave t’u vendoset letërngjitëse e bardhë në pjesët relevante, ndërkaq tabelave KS i është zgjatur validiteti edhe për pesë vite.

Pas 11 orësh bisedime, sipas një njoftimi nga Dren Zeka, këshilltar i ministres për Dialog, Edita Tahiri, është përmbyllur marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në pikën 1 të kësaj marrëveshje, thuhet se palët janë pajtuar që të mbulohen pjesët relevante të tabelave respektove të automjete, me dy letërngjitëse të bardha. Kjo pikë do të hyjë në fuqi nga 15 nëntori i këtij viti.

Me këtë marrëveshje, tabelave KS i është zgjatur validiteti edhe për pesë vite. Pas kësaj periudhe sërish do të diskutohet ndërmjet palëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ministrja Tahiri ka deklaruar se me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve. Sipas saj, çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës.

Tahiri ka thënë se kjo marrëveshje ishte arritur javën e kaluar dhe sot është rikonfirmuar edhe në dokumentin e shkruar të marrëveshjes. Sipas njoftimit, ajo vlerësoi se parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje dëshmon se marrëdhëniet fqinjësore në mes të dyja shteteve mund dhe duhet të përparojnë në frymën e reciprocitetit dhe gadishmërisë për normalizim sipas parimeve euro-atlantike.

“Poashtu, me këtë marrëveshje i jepet fund tabelave ilegale të automjeteve të cilat aty-këtu kanë qarkulluar në pjesën veriore të vendit tonë dhe ky proces do të realizohet në afatin e paraparë me këtë marrëveshje. Ministrja Edita Tahiri vlerësoi se heqja e tabelave ilegale nga qarkullimi është në funksion të sundimit të ligjit në këtë fushë si dhe i kontribuon integrimit të plotë të qytetarëve të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës. Kjo marrëveshje finalizon zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që është arritur në vitin 2011 në Bruksel”, thuhet në njoftim.

Marrëveshja, thuhet tutje, konfirmon nisjen e punës së zyrave të gjendjes civile dhe të Agjencisë për Regjistrim  Civil në katër komunat veriore që do të realizohet në nëntor 2016. Këto zyra do të pajisin qytetarët e asaj pjese me dokumentet shtetërore dhe të gjendjes civile të Republikës së Kosovës, duke mundësuar që të konsolidohet ky aspekt i sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës në veri të vendit të munguar që nga fundi i luftës.

Tahiri theksoi se arritja e kësaj marrëveshje dhe zbatimi i saj janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyshteteve dhe me këtë rast ajo falënderoj Bashkimin Evropian për angazhimet për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshje.

Teksti i marrëveshjes në vijim:

Aranzhimet lidhur me finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të vitit  2011

Bruksel, 14 Shtator 2016

1. Palët janë pajtuar që të mbulohen pjesët relevante të tabelave respektive të automjeteve me dy letërngjitëse të bardha.
2. Ky sistem me letërngjitëse do të hyjë në fuqi me 15 nëntor 2016.
3. Infrastruktura administrative për lëshimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve me tabela të lëshuara nga autoritetet e Kosovës do të hyjë në fuqi në nëntor 2016.
4. Regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës (KS/RKS) do të fillojë më 15 janar 2017 dhe do të zgjasë për 12 muaj, në fund të së cilës periudhë do të ketë vlerësim nga të dy palët me ndërmjetësimin e BE-së.
5. Kosova do të zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite në fund të së cilës çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse është kërkohet).
6. Përjashtimet nga taksat dhe detyrimet për regjistrimin e automjeteve do të garantohet nga Kosova në të njëjtën mënyrë sikurse në rastin e kaluar. Bashkëpunim i ngusht dhe i shpejtë do të vendoset në mes të dyja palëve për të verifikuar pronësinë e automjetit.

7. Një fushatë informuese për tu`a shpjeguar banorëve të afektuar modalitetet për ri-regjistrim te automjeteve do të ndërmerret nga të dy palët dhe BE-ja. Diskutimet e mëtejshme mbi fushëveprimin dhe modalitetet e fushatës së lartëpërmendur do të diskutohen në grupin për zbatim.
8. Tabelat e veturave që preken nga procesi i regjistrimit nuk do të afektohen nga sistemi i letërngjitëseve.
9. Për shkak të ndjeshmërisë ndërlidhur më pikat e lartëpërmendura, palët janë pajtuar të që shqyrtojnë zbatimin e këtyre konkluzioneve në një interval kohorë prej tremuajsh.

Image