Tahiri: Ridizajnimi i dialogut, i domosdoshëm

Aktuale September 15, 2016 - 23:25

Ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, ka vlerësuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk mund të zgjasë pafundësisht.
Ajo ka treguar se Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të mendojë për afatizimin e këtij procesi.

Tahiri ka vlerësuar se një ridizajnim i dialogut është i domosdoshëm.

Ajo ka thënë për “Epoka e re” se nëse në të ardhmen do të ketë ndryshim të dialogut atëherë, sipas saj, do të ishte mirë që shtetet të përfaqësohen në këtë proces në mënyrë të plotë, në të gjitha nivelet.

Në këtë kontekst, ministrja Tahiri ka thënë se Kosova mund të krijojë një ekip uniteti me nivelin më të lartë, siç ka qenë ai i Vjenës.

Tahiri ka folur edhe për arritjen e marrëveshjes për tabelat e automjeteve.

Ajo ka thënë se nga 15 nëntori i këtij viti, qytetarët e Kosovës nuk do të kenë më nevojë të ballafaqohen me tabela prova kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë marrëveshje, sipas Tahirit, u jepet fund edhe tabelave ilegale dhe konfirmohet nisja e punës së zyrave të gjendjes civile në katër komunat veriore.