Edhe në SHBA Mustafës i kërkohet të përgjigjet për demarkacionin

Aktuale September 22, 2016 - 19:26

Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka takuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën e po ashtu është pyetur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Mustafës gazetarët i kanë kërkuar përgjigje lidhur me progresin që është bërë lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kryeministri ka thënë para përfaqësuesve të mediave, se tashmë vija kufitare është përcaktuar dhe është e pakthyeshme.

“Ne duhet t’i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur që ta përmbushim është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi . Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t’ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ta, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pas”, ka deklaruar kryeministri Mustafa, për media.