Serwer: Ajo që bën Vetëvendosje në Parlament, e papranueshme në një shoqëri demokratike

Aktuale September 22, 2016 - 19:57

Situata politike në Kosovë është dominuar këto kohë nga veprimet e dy faktorëve të brendshëm, që po i bëjnë sfidë kushtetutës së vendit, ka thanë analisti Daniel Serwer. Ai ka bërë me dije se veprimet e Vetëvendosjes në Parlament janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.

“Njëri është një grup i popullsisë serbe që nuk e pranon Kushtetutën e shtetit, veçanërisht në veri. Forca tjetër është Vetëvendosja që do bashkimin me Shqipërinë. Dhe është shumë e vështirë të përballesh me të, sepse nuk ka hezituar të përdorë dhunën për të arritur synimet e veta, madje edhe brenda parlamentit dhe kjo për mua është shumë përtej asaj që duhet të lejohet në një shoqëri demokratike”, ka thënë ai për Zërin e Amerikës. 

Për sa i përket temës së asocacionit të komunave serbe, analisti Daniel Serëer mendon se kjo situatë e vështirë është trashëguar nga marrëveshja e Ahtisarit

“Është pjesa më e dobët e marrëveshjes Ahtisaari dhe duhet të mos harrojmë se ajo marrëveshje u arrit nën premisën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë nga Beogradi, gjë që nuk u bë”.

Serëer thotë se tani është momenti që Beogradi të njohë Kosovën. Kjo njohje mund të mos vijë në formën e shkëmbimeve të ambasadorëve dhe hapjes së përfaqësive diplomatike, por Beogradi mund të marrë hapin e parë duke pranuar anëtarësimin e Kosovës në OKB:

“Ky do të ishte një hap përpara dhe mendoj se do ta zbuste shqetësimin në Kosovë, lidhur me qëllimet e Serbisë. Kjo ka rëndësi sepse do t’i hapte rrugën funksionimit të asociacionit të komunave serbe.”

Zoti Serëer e pranon se ky është një hap i vështirë dhe me kosto politike për udhëheqësit serbë, por ai shton se është gjithashtu një hap i pashmangshëm, pasi pa njohjen e Kosovës, Serbia nuk mund të aderojë në Bashkimin Evropian. Ai shpreson se udhëheqja serbe do të tregohet largpamëse dhe do ta shfrytëzojë këtë mundësi politike:

“Koha për të rënë dakord është sot dhe jo më vonë”.