Apostolova: Opozita të përfshihet në vendimmarrje

Aktuale September 22, 2016 - 23:08

Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim njoftues shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëkohësisht Përfaqësuese Speciale e BE'së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Kuçi fillimisht njoftoi znj. Apostolova për zhvillimet e fundit në Kosovë, për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit, përmbushjen e të gjitha obligimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si dhe konkludimin  e procesit për liberalizimit të vizave, bën të ditur një komunikatë nga Kryeministria.

Zëvendëskryeministri në veçanti theksoi se për Qeverinë e Kosovës procesi i integrimit evropian vazhdon të mbetet prioritet esencial dhe  shtylla e zhvillimit të reformave në vend.  

“Qeveria e Kosovës edhe më tutje do të angazhohet në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asoccim në koordinim të ngushtë më zyrën e BE-së dhe akterët tjerë relevantë”, citohet të ketë thënë Kuçi.

Apostolova "theksoi rëndësinë e një koordinimi të theksuar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), duke pasur parasysh se MSA-ja është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që kërkon kapacitete të shumta për zbatim. Në këtë kontekst, zonja Apostolova iu referua Platrofmës së Agjendës Evropiane të Reformave si një nismë aktualisht duke u zhvilluar, për të sjellë MSA-në më afër popullit duke u fokusuar në rezultatet e prekshme, afat-shkurtëra", njofton komunikata.

Sipas Kryeministrisë, Apostolova theksoi nevojën për një komunikim të mirë me popullin e Kosovës, si dhe me opozitën e cila duhet të përfshihet në proceset vendimmarrëse, dhe përsëriti se Kosova ka të ardhme të qartë evropiane dhe se do të vazhdojë të marrë mbështetje politike, financiare dhe të ekspertizës nga BE-ja. 

Në takimin Kuçi-Apostolova u diskutua edhe për prioritetet e përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për një bashkëpunim të ngushtë edhe më tutje në forcimin e  sundimit të  ligjit, koordinimin institucional në zbatimin e obligimeve nga MSA-ja, si dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve në proceset integruese Evropiane.