Azem Syla edhe disa ditë në QKUK (Video)

Aktuale September 26, 2016 - 23:37

Avokati mrojtës i ish deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, është duke i përgatitur dy lloj të ankesave pas vendimit për riarresim të Sylës dhe shqiptim të masës së paraburgimit prej dy muajsh.

Avokati Tomë Gashi, ka deklaruar në emisionin “Kontakt” të Tribuna Channel se njëra ankesë është duke u përgatitur për Gjykatën Supreme të Kosovës, për shkak se e kemi vendimin e parë dhe vendimin e dytë diametralisht të kundërt dhe është një kërkesë që është duke u përgatitur e që do t’i dorëzohet gjyqtares së procedurës paraprake.

Ai ka folur edhe për personin që kishte renë në kontakt me dëshmitarin D, e që sipas tij është edhe shok i dëshmitarit, por që e mohon kategorikisht që klienti i tij ka tentuar të ndikojë në ndonjërin prej dëshmitarëve në rastin e quajtur ‘Toka’.

Gashi ka thënë se seanca e radhës do të mbahet me 28 dhe 29 të këtij muaji dhe shpreson që klienti i tij do të paraqitet në to.

Ndërsa duke i komentuar raportet e medieve elektronike se Azem Syla po qëndron në QKUK dhe jo në paraburgim, Gashi është përgjigjur se e vërteta e gjithë kësaj është që gjatë periudhës sa ka qenë i lirë Azem Syla, ka pasur kontrolle shëndetësore të zakonshme.

“Sylës i është preferuar nga ana e mjekësve që të qëndrojë për disa ditë në QKUK dhe aty do të ndodhet edhe për disa ditë, por me datën 28 shtator me siguri që do të jetë i gatshëm të vij në seancë”, ka thënë avokati Gashi.

Kurse duke folur për Gjykatën Speciale ai ka thënë se kjo gjykatë do ta njollosë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo pastrimin e saj./TribunaChannel/