“Qeveria nuk ka hequr dorë nga demarkacioni”

Aktuale September 29, 2016 - 10:11

Analistët politikë kanë vlerësuar se qeveria nuk është tërhequr ende nga versioni aktual i demarkacionit. Megjithëkëtë sipas tyre, pozita dhe opozita duhet sa më shpejt ta gjejnë një kompromis mes vete, sa i takon marrrëveshjes së demarkacionit.

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë se qeveria nuk ka hequr dorë nga kjo marrëveshje dhe se ajo po synon që të krijojë ndasi mes opozitës.

“Qeveria ashiqare po tenton ta thejë  njërën parti nga opozita dhe ta kalojë demarkacionin. Derisa po insiston vazhdimisht të sjellë dëshmi shtesë për ta bindur opozitën, qeveria po tregon se ajo nuk ka hequr dorë nga qëllimi që demarkacioni të votohet pa ndryshime”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ka spekulime se po bëhen pazare me vende në qeveri. Lepaja tutje, ka thënë se pjesën më të madhe të problemeve i ka krijuar jotransparenca në bisedime.

“Jotransparenca në bisedime ka krijuar shumicën e problemeve, madje edhe keqkuptimeve në relacionin pozitë-opozitë”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, analisti Blerim Burjani, ka vlerësuar se nuk mund të ketë version tjetër të demarkacionit, pos që kjo marrëveshje të rishikohet.

“S’ka tjetër version përveç që kryeminsitri duhet t’i kontaktojë autoritet e Malit të Zi për rishikim të linjës kufitare, por së pari kjo temë duhet të shtrohet në kuvend dhe të votohet ose për ose kundër”, ka thënë ai.

Burjani ka thënë se duhet së shpejti të gjendet një zgjidhje për çështjen në fjalë.

“Deri këtu u pa se s’ka kompromis dhe kjo është e dhimbshme për qytetarin e rëndomtë të shtetit tonë. Kjo klasë politike duhet ta forcojë ndjenjën e shtetësisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Tutje, ai ka thënë se duhet të gjendet një kompromis për hir të shtetit të Kosovës, e jo për interesa personale.

Nga ana tjetër, kryeministri Isa Mustafa ditë më parë, ka thënë se takimi pozitë-opozitë pritet të mbahet në fillim të muajit tetor. Pavarësisht kësaj, përfaqësues të opozitës kanë thënë se pjesëmarrja e tyre varet krejt nga ftesa që iu bëhet nga Isa Mustafa./Zëri