Gashi: Kadri Veseli po i përzihet në punë Kryeministrit

Aktuale October 05, 2016 - 20:30

Kryeparlamentari Kadri Veseli hyri në kompetencat e kryeministrit, kur nënshkroi memorandumin me kompaninë amerikane Stone Alliance një ditë më parë, vlerëson deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Sipas Gashit, ai veprim do të duhej të bëhej nga shefi i qeverisë, e jo nga kryetari i Kuvendit.

“Kadri Veseli nuk ka të drejtë të merr kësi vendime në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës e as të Kushtetutës së Kosovës. Kjo është punë e kryeministrit, pra e shefit të ekzekutivit”, ka thënë Gashi në "Info Magazine" të Klan Kosovës.

Gashi këtë veprim e ka quajtur një papjekuri politike të Veselit, i cili është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Veseli është shfaqur i papjekur politikisht. Ai nuk është sjellë mirë në raport me partnerin e koalicionit, pra Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndonëse nuk është qartësuar se çfarë përmban memorandumi i nënshkruar. Është mentalitet i nëntokës, dhe ai po sillet kështu në politikbërje”, ka thënë Gashi.

Gashi ka kritikuar Veselin edhe për premtimet që u ka dhënë futbollistëve kosovarë së fundmi.

“Veseli nuk mund ta shpërblejë secilin lojtar me nga 100 mijë euro, nuk ka linjë buxhetore se si mund ta bëjë këtë. Ai mund ta bëjë këtë vetëm me paratë e tij”, tha ai.

Deputeti i LDK-së nuk ka thënë nëse koalicioni qeveritar ka një të ardhme të mirë ose jo. Por ai ka deklaruar se ekziston një marrëveshje që parasheh se mandati i qeverisë përfundon më 2018, tha Gashi.