Kusari-Lila tregon se çfarë i ofroi Pacolli, që ajo të qëndrojë në AKR (Video)

Aktuale November 02, 2016 - 20:50

(I Plotësuar) Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për të kaluarën e saj politike në Aleancën Kosova e Re, dhe për largimin e saj nga kjo parti.

Kusari-Lila ka thënë se largimi nga AKR-ja ka ardhur për shkak të pamundësisë së kësaj partie për ta kaluar pragun zgjedhor, dhe për shkak të mosmarrëveshjeve me këshillin drejtues të kësaj partie.

Kryetarja e Gjakovës, në emisionin “Komiteti” të Gazetës Express për RTV Dukagjini, ka treguar se për ta bindur për të qëndruar në partinë e tij, shefi i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka ofruar pozitën e udhëheqëses së AKR-së, por që pas mbledhjeve të mbajtura nga këshilli drejtues, pa praninë e saj, ai ka ndryshuar qëndrim.

Sipas saj, gjatë tentimit të AKR-së për t’u ristrukturuar, kjo parti ka vepruar njëjtë, dhe kjo nuk mund t’i sillte rezultate ndryshe.

Kryetarja e Gjakovës ka thënë se nuk është penduar që ka qenë pjesë e kësaj partie, por se koha e qëndrimit të saj në AKR kishte skaduar.

Kusari-Lila, ka folur për synimet e saj në skenën politike me partinë e re, si njëra ndër themelueset e saj.

Ajo ka thënë se partia e re nuk ka caktuar udhëheqësit e saj, më qellim që këta të përcaktohen pas zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht edhe pozita e saj politike lokale apo qendrore, por ajo po e mendon seriozisht rikandidimin për kryetare të Gjakovës.

Kusari-Lila, si femra e vetme kryetare e një komune, ka shtuar se është mishëruar me punën si kryetare e komunës dhe planifikon vazhdimin e projekteve që zhvillojnë Gjakovën.

Kryetarja e Gjakovës ka potencuar në “Komiteti” se pozita që ajo aktualisht mban nuk do të ndikojë që në partinë e re të ketë frymë të ndarjeve rajonale, dhe se kjo alternativë ka për qëllim përgjithësimin e progresit në të gjithë Kosovën.

Ajo ka folur për partinë e re, si njëra ndër themelueset e saj, dhe për emrat e parë që janë bërë pjesë e saj.

Kusari-Lila ka thënë se me fillimin e kësaj partie, në komunën që ajo qeveris i janë bashkuar shumica dërrmuese e asamblistëve të ish-partisë së saj, Aleanca Kosova e Re, të cilët, sipas Kusari-Lilës, kanë qenë gjithnjë të gatshëm të largohen nga AKR-ja, kurdo që ajo do ta kërkonte.

Përveç shumicës së asamblistëve të AKR’së së Behgjet Pacollit që i janë bashkuar Alternativës së Re, Kusari-Lila ka përmendur edhe disa asamblistë nga partitë tjera si Lidhja Demokratike e Dardanisë, por befasia e gjithë kësaj janë asamblistët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke kujtuar luftën e ashpër elektorale që është zhvilluar në Komunën e Gjakovës, ndërmjet Kusari-Lilës që përfaqësonte AKR-në, dhe AAK-së, Kusari-Lila ka thënë se ndjehet e lumtur që përkundër çdo akuze që i është bërë nga AAK-ja, ajo me punë ka arritur që t’i kthejë në anën e saj edhe një pjesë të asamblistëve të tyre.

------------------------------------

Kusari-Lila: Alternativës së Re po i bashkohen edhe asamblistë nga AAK -ja

Sonte në emisionin “Komiteti”, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për partinë e re, si njëra ndër themelueset e saj, dhe për emrat e parë që janë bërë pjesë e saj.

Kusari-Lila ka thënë se me fillimin e kësaj partie, në komunën që ajo qeveris i janë bashkuar shumica dërrmuese e asamblistëve të ish-partisë së saj, Aleanca Kosova e Re, të cilët, sipas Kusari-Lilës, kanë qenë gjithnjë të gatshëm të largohen nga AKR’ja, kurdo që ajo do ta kërkonte.

Përveç shumicës së asamblistëve të AKR’së së Behgjet Pacollit që i janë bashkuar Alternativës së Re, Kusari-Lila ka përmendur edhe disa asamblistë nga partitë tjera si Lidhja Demokratike e Dardanisë, por befasia e gjithë kësaj janë asamblistët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Duke kujtuar luftën e ashpër elektorale që është zhvilluar në Komunën e Gjakovës, ndërmjet Kusari-Lilës që përfaqësonte AKR’në, dhe AAK’së, Kusari-Lila në “Komiteti” ka thënë se ndjehet e lumtur që përkundër çdo akuze që i është bërë nga AAK’ja, ajo me punë ka arritur që t’i kthejë në anën e saj  edhe një pjesë të asamblistëve të tyre. /Express/