Koalicioni udhëheqës nuk duhet të fshihet pas ndërkombëtarëve

Aktuale November 12, 2016 - 21:13

Të gjitha partitë politike në Kosovë apriori janë pajtuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Madje edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian mbështesin subjektet politike për zgjedhje të reja nëse konsiderohen se janë të arsyeshme.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se BE-ja do të mbështesë çdo proces demokratik në Kosovë, duke përfshirë edhe zgjedhjet. Deklarata e Apostolovas është mirëpritur nga subjektet opozitare, të cilat shpresojnë se zgjedhjet janë afër. Ndërsa partitë në koalicion preferojnë verën e vitit të kaluar për zgjedhjet në të dy nivelet, lokale dhe parlamentare.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka alternativë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, vlerëson se partitë politike kanë nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat nuk kanë alternativë tjetër për rregullimin e kaosit politik në vend.

“Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për ta zhbllokuar situatën politike. Natyrisht, nëse krerët partiakë merren vesh, atëherë BE-ja do të përkrahë vendimin e tyre. Tashmë duket se të gjithë janë të vetëdijshëm se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka alternativë, andaj secila parti politike në një mënyrë a tjetër ka nisur fushatën zgjedhore”, ka deklaruar Salihaj. Ai konsideron se sa më shpejt që krerët e partive të merren vesh për zgjedhje, aq më mirë do jetë për pengimin e zvarritjes së proceseve të rëndësishme.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka përshtypjen  se gjithnjë e më shumë po kuptohet nevoja për të shkuar në zgjedhje.

“Tashmë kjo po vërehet edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Mjafton ta lexoni Raportin e Progresit dhe e shihni sa të domosdoshme janë zgjedhjet. Vendi po vendnumëron. Unë jam i bindur se tashmë edhe partnerët e koalicionit e kanë parë se zgjedhjet janë një mundësi e mirë për të nisur një fazë të re, të domosdoshme edhe në qeverisje edhe në adresimin e temave që e kanë bllokuar vendin”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë Nitaj ka potencuar se zgjedhjet kanë qenë kërkesë e AAK-së tash e një vit. Ai është i bindur se zgjedhjet janë mundësi që do ta nxjerrin vendin prej krize.

Në anën tjetër në partinë opozitare, “Nisma për Kosovën”, deklarojnë se koalicioni në qeverisje e ka fundosur shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë.

Deputeti i kësaj partie, Zafir Berisha, vlerëson se partnerët në udhëheqje nuk duhet të fshihen më pas faktorit ndërkombëtar.

“Besoj se edhe znj. Apostolova e ka kuptuar që ky koalicion e ka fundosur shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë dhe kjo që e ka thënë është në frymën e asaj se partnerët e koalicionit nevojiten për zgjedhje të parakohshme, të mos e fshihen pas faktorit ndërkombëtar”, ka potencuar Berisha. Sipas tij, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për të dalë nga kriza e rëndë në të cilën koalicioni PDK-LDK e ka futur vendin.

 Zgjedhjet shihen si mundësi e ardhjes në pushtet

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka konstatuar se subjektet politike në pozitë dhe opozitë zgjedhjet i shohin si mundësi për të ardhur në pushtet.

“Së pari këto parti nuk e respektojnë votën e qytetarit për të punuar për agjendë të mirëqenies sociale, ekonomike, etj. Por këto parti pozitë dhe opozitë zgjedhjet i shohin si mundësi për të ardhur në pushtet dhe për t’i zgjidhur problemet familjare, grupore dhe partiake, kjo ka bërë që qytetari të mos merret me këtë skenë politike, anarkike përfituese”, ka thënë Burjani, sipas të cilit zgjedhjet nuk janë alternativë për qytetarin, por janë alternativë e partive për të riformuluar koalicione të ardhshme.

“BE-ja e ka shumë të qartë gjendjen në Kosovë, krizat artificiale dhe luftën për pushtet që po ndodh. BE-ja nuk ka prononcim për zgjedhje të parakohshme, ajo është pasive në këtë temë sepse është çështje vendore. Këto zgjedhje eventuale janë humbje kohe dhe pa interes për qytetarët siç është liberalizimi i vizave”, ka përfunduar Burjani. /ZERI/