Hoxhaj takon në Madagaskar ministrat e Jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit (Video)

Aktuale November 22, 2016 - 20:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur me agjendën e takimeve me të arritur në Madagaskar, ku po zhvillon punimet Samiti i Frankofonisë.

“Hoxhaj ka takuar ministrat e Jashtëm të Belgjikës, Didier Reynders, të Xhibutit, Mahamoud Ali Youssouf dhe të Burundit, Alain Aime Nyamitwe të cilët i ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin për media.

Hoxhaj ka deklaruar se pjesëmarrja e tij në Frankofoni do të shërbejë për të shtyrë përpara agjendën si njëri prej anëtarëve më të rinj të organizatës dhe për lobim për njohje të reja.

“Temë kryesore e Samitit të sivjetmë të Frankofonisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Pas anëtarësimit tonë në këtë organizatë, në vitin 2014 kjo është pjesëmarrja jonë e parë si shtet anëtar i Frankofonisë, e cila ka mbi 80 shtete me gjeografi të ndryshme në botë. Natyrisht që për ne është me rëndësi që ekonomia e Kosovës dhe shoqëria kosovare të ketë bashkëpunim me këto shtete anëtare dhe ta shfrytëzojmë praninë tonë për ta rritur numrin e njohjeve të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj do të vazhdojë edhe me takime të tjera në margjina të Samitit si dhe do të marrë pjesë në sesionet ku do të diskutohet për çështje të ndryshme dhe sfidat e shteteve frankofone, përfshirë edhe përfitimet nga programet e organizatës.

Image
Image