Prishtina, e rrezikuar nga qentë endacakë

Aktuale November 23, 2016 - 20:17

Mungesa e një strehimoreje dhe prurja e qenve endacakë nga qytetet tjera në Prishtinë ka bërë që qytetarët e kryeqytetit të jenë të rrezikuar tej mase. Në Prishtinë numri i qenve endacakë është shtuar dukshëm kohëve të fundit, gjë që ka bërë që edhe qytetarët, e në veçanti fëmijët të jenë mjaft të rrezikuar.

Një shqetësim të tillë e ka ngritur edhe i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Rasti i fundit është regjistruar këtë muaj, kur një vajzë është sulmuar nga qentë endacakë në kryeqytet, të martën më 22 nëntor të këtij viti.

Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm kur fëmijët janë sulmuar nga qentë endacakë në Kosovë. Mungesa e një strehimoreje ka bërë që rreziku tek qytetarët të shtohet dukshëm.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës, fajin për këtë e hedhë tek institucionet e nivelit qendror, ku, sipas tyre, kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në drejtim të institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

“Asnjëherë deri më tash, nuk kemi pasur përgjigje nga niveli qendror për këtë çështje”, ka thënë për “Zërin”, Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.Sipas Tahirit, problemi me qentë endacakë nuk kufizohet vetëm brenda kufijve komunalë.

 “Një problematikë e tillë, siç janë qentë endacakë, nuk kufizohet brenda kufijve komunalë, sepse shpesh ka raste që pasi trajtohen qentë në Prishtinë, vijnë shumë të tillë nga komunat tjera dhe lëshohen brenda territorit tonë. Kjo përveç që shton rrezikun, ia bën të pamundur Komunës së Prishtinës trajtimin e tyre edhe për shkak të kostos së madhe financiare. Për këtë arsye, vazhdimisht kemi bërë thirrje që kjo problematikë të trajtohet në nivel shtetëror, në mënyrë që reagimi të jetë i sinkronizuar dhe efikas në secilën komunë”, ka deklaruar Tahiri, i cili shtoi se pavarësisht kësaj, Komuna e Prishtinës është e gatshme që të marrë pjesë edhe financiarisht për problemin e qenve endacakë, por edhe të sigurojë lokacion për trajtimin e tyre.

Mirëpo, Florim Ferati nga “Qendra Kosovare për Strehimin dhe Trajnimin e Qenve Endacakë”, ka thënë për “Zeri.info”, se kanë aplikuar në fund të muajit gusht në Komunën e Prishtinës, ku ka qenë i hapur tenderi mirëpo, siç tregon Ferati, që nga muaji gusht nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Komuna e Prishtinës dhe se sipas tij, kanë qenë të vetmit që kanë aplikuar në këtë tender.

 “Komuna e Prishtinës nuk na ka treguar ku është problemi e as nuk na kanë kthyer përgjigje, kështu që kjo ka mbetur një enigmë ende e pazgjidhur. Ne jemi duke pritur, në qoftë se dëshirojnë të bashkëpunojnë, ne jemi të gatshëm”, ka deklaruar Ferati.

Ai thotë se edhe mungesa e një strehimoreje ka bërë që të shtohet numri i qenve endacakë mirëpo, Ferati fajin e hedh edhe tek qytetarët e pandërgjegjshëm, të cilët, siç deklaroi ai, vijnë në Prishtinë dhe sjellin qenë nga qytete tjera dhe i lëshojnë në rrugë.

“Vetë fakti që kemi mungesë tremuajshe do të thotë që nuk janë bërë edhe sterilizimet e tyre, mirëpo, në Komunën e Prishtinës ka edhe prurje të qenve endacakë nga jashtë, nga qytetet tjera, kështu që njerëzit vijnë në treg të automjeteve dhe vijnë e lëshojnë një grumbull të qenve edhe kjo është ajo arsyeja. Mirëpo, po shihet se në momentin kur ne nuk jemi të pranishëm në qytet atëherë po shtohet edhe numri sepse qentë të cilët kapen në qytet dërgohen në strehimore, është aty karantina ku veterinari i klasifikon se cilin ta kastrojë, cilin ta sterilizojë dhe cilët qenë janë për eutanazi (për t’i vendosur në gjumë)”, ka treguar Ferati për “Zeri.info”.

 Ai ka thënë se po të kishte një strehimore në Komunën e Prishtinës edhe numri dhe rreziku nga qentë endacakë do të ishte shumë më i vogël. Ferati po ashtu ka thënë se metoda që përdoret në Kosovë për qentë endacakë, përdoret edhe tek vendet e tjera.

“Ata qenë të cilët eliminohen janë qentë të cilët shprehin agresivitet gjatë kapjes, qenë të cilët kanë ndonjë sëmundje dhe qenë të cilët janë në moshë. Mirëpo, ja japim mundësinë ndonjë qeni tjetër i cili është i shoqërueshëm, i butë, nuk është i rrezikshëm, atij i japim një mundësi për adoptim dhe në qoftë se nuk adoptohet atëherë bëhen të gjitha vaksinimet dhe lirohet prapë në qytet, mirëpo e ka një vath në vesh i cili e dallon. Dhe ai qen nuk shumohet më, mirëpo sipas standardeve ndërkombëtare aty ku ka kriza kështu bëhet tani për tani, pra përdoret kjo metodë”, ka treguar Ferati për “Zeri.info”.

Në krahasim me Prishtinën, Komuna e Gjakovës e ka të zgjidhur problemin e strehimores. Blendi Bejdoni, veterinar nga Gjakova thotë se klinika në të cilën ai punon është e kontraktuar nga Komuna e Gjakovës.

“Ne jemi të kontraktuar nga Komuna e Gjakovës. Kjo kontratë përkon, qentë kapet në habitatin e tyre, në vendet e tyre, sillen në klinikë të trajtohen, vaksinohen, sterilizohen, të pastrohen nga parazitë dhe në periudhë prej 10 ditësh kthehen prapë në vendin ku i kemi marrë. Për arsye se ne sot e kemi një ligj që nuk lejon vrasjen e tyre siç ka ndodhur më parë, kjo është e vetmja mundësi që ngelet ta bëjmë me qentë e rrugës. Por, në të njëjtën kohë qentë të cilët janë agresivë dhe që paraqesin rrezik për qytetarët dhe qentë të cilët janë shumë të sëmurë iu bëhet eutanazi (vdekje përmes medikamenteve mjekësore)”, ka treguar Bejdoni për “Zeri.info”.

 Mirëpo, ai thotë se mungesa e një kontrolli dhe papërgjegjësia e pronarëve ka bërë që të ketë shtim të madh në Kosovë të qenve endacakë.

“Qenë endacakë në Kosovë, e po flas në veçanti për Gjakovën, kemi pasur gjatë gjithë kohës, edhe në kohën e paraluftës edhe gjithmonë kemi pasur probleme me qentë endacakë, mirëpo para luftës në Kosovë ka pasur një lloj kontrolli kundrejt pronarëve të qenve që është ditur se kush ka qenë e sa qenë i ka, ndërsa sot nuk dihet as kush ka e as sa i ka. Dhe çdo ditë e më tepër papërgjegjësia e pronarëve po ndodh që edhe rrugëve të ketë edhe raca të pastra. Do të thotë, ai ka shpenzuar para për ta blerë një qen- racë të pastër, mirëpo, pas një kohe e sheh që nuk po i pëlqen edhe lëshon në rrugë dhe më pas ndodh shtimi i pakontrollueshëm i qenve ku ata çiftëzohen në rrugë dhe kështu vjen deri te shtimi i tyre. Sot për sot, e vetmja mënyrë për parandalimin e shumimit të tyre është sterilizimi dhe pastrimi i tyre në mënyrë që pak a shumë të ketë kontroll për numrin e qenve endacakë”, ka treguar Bejdoni për “Zeri.info”.