Stoltenberg: Keqardhje për viktimat, por NATO bombardoi Serbinë për t’i mbrojtur civilët

Aktuale November 23, 2016 - 22:53

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha pas takimit me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq se Serbia është duke krijuar stabilitet në rajon, shkruan gazeta serbe.

Pas bisedave në selinë e NATO, ai po ashtu ka shfaqur keqardhje “për viktimat civile gjatë bombardimeve të NATO –s në vitin 1999 (Serbi), por këtë NATO ka bërë për të mbrojtur viktimat civile (në Kosovë)”.

"Mund ta kujtojmë të kaluarën, por duhet të mendojmë në të ardhmen”, shkruan gazeta serbe “Novosti”

Ndërsa, Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se sot, në Këshillin e NATO-s, në kuadër të Partneritetit për Paqe, ka biseduar për heqjen e mbikëqyrjes në “ shtresën e poshtme të hapësirës ajrore të Kosovës”.

Sipas Vuçiq, njofton “Veçernje Novosti”, ai e ka bërë këtë kërkesë pasi që më herët me KFOR-in ishte arritur marrëveshja që praktikisht të hiqet Zona e sigurisë tokësore ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Serbia ka lutur ambasadorët e NATO-s në Këshillin e Aleancës që KFOR të mbetet në Kosovë pasi ai është mbrojtje për popullin serb.

“Po të mos kishte qenë NATO e KFOR, vështirë se do të ishte arritur Marrëveshja e Brukselit dhe as siguria e trashëgimisë serbe në Kosovë”, ka thënë Vuçiq./Zeri/.