Rama ‘godet’ mes rreshtave deputetin gjerman që i dha një ‘shuplakë’ të fortë Shqipërisë

Aktuale November 24, 2016 - 22:14

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar pas deklaratave të forta që dha sot nga Tirana deputeti gjerman i partisë së kancelares Angela Mergel (CDU) për hapat pas që sipas tij ka bërë Shqipëria dhe faktit që në këtë situatë nuk e meriton çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gunther Krichbaum, njëherësh kryetar i komisionit për çështjet Europiane tha qartë se pa plotësuar 7 kushte, Bundestagu do t’i kërkonte qeverisë federale që të mos japë votë pro për çeljen e negociatave.

Por në mungesë të një deklarate zyrtare për këtë çështje, kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje deputetit gjerman mes rreshtave në rubrikën Amacord, që shefi i mazhorancës publikon në Facebook.

Rama është kthyer pas në kohë, duke paraqitur një foto të Kishës dhe Kuvendit françeskan në Shkodër, dhe gjen ngjashmëri edhe me sot kur thotë se “të  huajt e shihnin Shqipërinë veçse një “Turqi të vogël”. Duke u lexuar mes reshtave, Rama duket se godet edhe opozitën, kur thotë se kjo shfaqje e Shqipërisë i ofrohej skeptikëve nga jashtë, për shkak të problemeve të brendshme në atë kohë, që kryeministri i gjen aktuale edhe sot.

“Në kohën kur është shkrepur kjo foto e kishës dhe kuvendit françeskan në Shkodër, shumë skeptikë nga jashtë e kishin krejt të zorshme të shihnin te Shqipëria tjetër gjë veçse një “Turqi të vogël”, shprehje gjeopolitike e kohës, por në fakt përkufizim i çdo prapambetje, prapanikllëku, dallkaukllëku, korrupsioni, vëllavrasje, zhvatje, tradhëtie dhe shitje për interesa krejt të vogla, domosdo antikombëtare. E keqja ishte atëhere, e ndoshta ende sot, se edhe pse potenciali ishte i madh që Shqipëria të bëhej me forcën e vullnetit dhe të një shumice të vendosur ndonëse të heshtur, kopshti i punuar dhe harmonik me gjeometrinë për tu pasur zili që paraqet kjo foto, xhakajdurët dhe karanxhollët e çdo sahani, rreken ta prishin si të babëzitur. Këtë “punë të madhe në interes të shqiptarëve” siç e quajnë me krekosje prej të marri, historiani romak Taciti e quante “ajo lloj paqe dhe ngazëllimi që nuk janë veç mynxyrë dhe vetmi”, shkruan Rama.

Më tej, kreu i qeverisë përmend ish-kancelarin gjerman Konrad Adenauer, i cili u citua edhe sot nga deputeti gjerman Krichbaum konferencën e tij para medias shqiptare sot në Tiranë e organizonte “Instituti Konrad Adenauer

“Me siguri me këta syresh e kish, europiani i madh dhe syçelët Konrad Adenauer tek thoshte se ishte e padrejtë që Zoti, duke kufizuar mençurinë e njerëzve, nuk kishte kufizuar në të njëjtën kohë edhe dritshkurtësinë e tyre.

E megjithatë, muret e këtij kuvendi, të rrënuara nga varrmihësit e këtij kombi e të ringritura prej shprestarëve në të ardhmen ende buçasin nga zëri i amëshuar i bujtësit të tyre të madh:

“Për inat të dreqit e (ca) shqyptarëve, Zoti ka me e mbajt Shqypnin në kambë, me nder e me lumni… Si janë pra shqyptarët e Shqypnia sot? Si janë? Si po i don anmiku…”, – përfundon shkrimin në Facebook kryeministri Edi Rama.