Kryetarët e komunave shqiptare me memorandum bashkëpunimi

Aktuale November 28, 2016 - 21:54

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se kryetarët e komunave shqiptare kanë nënshkruar bashkërisht një memorandum bashkëpunimi.

Ahmeti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social "Facebook" i ka bërë të ditura pikat e këtij bashkëpunimi në mes Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit e Preshevës.

Më poshtë është teksti i plotë i këtij memorandumi, i publikuar nga Shpend Ahmeti:

Ne, Kryetarët e Bashkive të Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës, të mbledhur me dëshirën dhe vullnetin e mirë për të hedhur themelet e një bashkëpunimi të fortë, efikas, të qëndrueshëm e afatgjatë mes kryeqendrave urbane të hapësirës ku jetojnë një e treta e popullsisë shqiptare të Rajonit,

Me besim të palëkundur tek ndjenja e solidaritetit dhe vëllazërisë që ekziston mes shqiptarëve kudo ata ndodhen;

Të vetëdijshëm që sfida më e madhe me të cilën përballen sot shqiptarët është sfida e progresit, zhvillimit dhe e një jetë më të mirë;

Të ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka suksesi i bashkëpunimit mes nesh për avancimin e kauzës së shqiptarëve në rajon;

Me bindjen se duke bashkuar forcat, duke mësuar nga përvojat e njëri tjetrit dhe duke mbështetur njëri tjetrin, mund të garantojmë një cilësi më të mirë jetese për qytetarët tanë;

Të vendosur për të kthyer këtë bashkëpunim të bazuar në praktikat e modelet më të mira evropiane, në një histori suksesi;

Me shpresën që modeli që ne po krijojmë do të zgjerohet duke përfshirë çdo qendër të banuar nga shqiptarët

VENDOSËM QË;

Të krijojmë një platformë bashkëpunimi që do t’iu lejojë bashkive tona të intensifikojnë shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit;

Të ngremë një Grup të Përhershëm Koordinator që ka për detyrë të ndërmjetësojë në mënyrë të pandërprerë komunikimin dhe bashkëpunimin konkret mes bashkive tona për të gjitha fushat e parashikuara në memorandumin apo çdo fushë tjetër me interes;

Të zhvillojmë shkëmbime të rregullta ekspertize, përvoje dhe projektesh që kanë rezultuar të suksesshme;

Të zhvillojmë rregullisht programe të përbashkëta kulturore e artistike;

Të bashkëpunojmë për thithjen e fondeve dhe projekteve rajonale dhe ndërkufitare;

Të mbështesim njëri tjetrin me masa, asete, ekspertizë dhe personel në rast emergjencash;

Ne jemi të bindur se përmes kësaj platforme bashkëpunimi, duke krijuar një sinergji mes Bashkive të Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës, apo cilësdo bashki shqiptare në rajon që do të dëshirojë t´i bashkohet kësaj nisme, do të arrijmë të përdorim në mënyrë më efikase burimet tona njerëzore e financiare për të zgjidhur ato problem që shqetësojnë realisht qytetarët tanë dhe do t´i japim një hov të madh zhvillimit të hapësirës shqiptare në rajon.

(Nënshkruar nga Kryetarët e Bashkive të Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Ulqinit dhe Preshevës)

 

Image

Image

Image