Hoxhaj: Buxheti do të kalojë, në dhjetor vijnë dy njohje

Aktuale November 30, 2016 - 20:41

Ministri i Jashtëm i Kosovës, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është shprehur optimist për kalimin e Buxhetit për vitin 2017 në Kuvendin e Kosovës.

“Unë mendoj që do të ketë hapësirë të mjaftueshme që me partnerët tanë të koalicionit t’i tejkalojmë dallimet dhe t’i zgjedhim problemet të cilat mund të jenë parakusht për dallime”, ka thënë Hoxhaj për transmetuesin publik.

“Nuk besoj që gjërat do të shkojnë në atë drejtim saqë buxheti mund të jetë i pazgjidhur”, është shprehur Hoxhaj.

“Besoj që do të kemi vota të mjaftueshme dhe do të bëjmë zgjidhje për çdo situatë”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka folur edhe për njohjet e reja për Kosovën, duke premtuar se dy njohje të reja shtetit tonë do t’i vijnë brenda dhjetorit.

“Kosova do të ketë njohje të reja, të cilat do të jenë lajme të fuqishme dhe pozitive”, ka deklaruar Hoxhaj.

“Kam paralajmëruar që do të vijnë tri njohje. Një ka ardhur. Deri në fund të dhjetorit do të ketë njohje të reja”, ka thënë Hoxhaj.