Hoxhaj tregon se cila ishte arsyeja e përplasjes së tij me Daçiqin në Varshavë

Aktuale December 01, 2016 - 21:28

Sonte në emisionin “Komiteti Qendror”, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur për përplasjen e tij me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në Varshavë.

Hoxhaj ka thënë se kjo përplasje erdhi si pasojë e deklaratës së Daçiqit në takimin e Varshavës, e cila e shtyu Ministrin e Jashtëm kosovar që të reagonte ashpër.

Ai ka treguar se Daçiq në këtë takim kishte thënë se Kosova nuk ka marrëveshje të stabilizim-asociimit, se ajo nuk ka nevojë për liberalizim të vizave dhe shumë gjëra të tjera, të cilat kontestojnë qenësinë e shtetit të Kosovës.

Pas kësaj, Hoxhaj ka treguar se kishte marrë fjalën për herë të dytë dhe kishte thënë se Daçiq ishte kthyer në punën e tij të vjetër - që ishte pozita e njeriut të dytë të ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, i cili ka kryer gjenocid në Kosovë.

Hoxhaj ka thënë në “Komiteti Qendror” se gjatë fjalimit të tij kishte thënë se është ironi e historisë që ta dëgjojë Daçiqin duke folur për pajtim të popujve, kur ai kishte qenë njëri ndër njerëzit më të rëndësishëm të pushtetit që kishte kryer gjenocide dhe kishte zhvilluar katër lufta./Express/.