Koci i përgjigjet Blicit të Serbisë: Dëmtuat rëndë moralin e Haradinajt

Aktuale December 01, 2016 - 23:37

Artikujt e Gazetës Blic të Serbisë, ku Lideri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj cilësohet si “kontrabandues armësh”, përmban plot të pavërteta, thuhet në një përgjigje që avokati i Haradinajt Arianit Koci, i ka dërguar këtij mediumi.

“Dy artikujt: ‘Si klani Haradinaj kontrabandoi armë përmes Serbisë dhe fitoi me miliona euro?’ dhe ‘Kreu i policisë në Novi Sad mbron klanin shqiptar’, të publikuara në të përditshmen Blic, janë akuza të pavërteta dhe të pasakta”, ka thënë Koci, në përgjigjen e tij për Blicin e Serbisë.

“Këto akuza të rreme dhe të pavërteta, kanë dëmtuar rëndë moralin dhe karakterin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt”.

“E gjithë përmbajtja e teksteve të botuara është absolutisht e pasaktë dhe ka fyer personalitetin e Haradinajt dhe reputacionin e familjes së tij”, ka thënë Koci, raporton Klan Kosova.

Koci para disa ditësh pati thënë se Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do ta padisë gazetën serbe “Blic”, për shpifje, ndaj të cilës pret edhe dëmshpërblim.

Koci, ka pohuar se në ditët në vijim do të qëndrojë në Beograd për të mbledhur fakte.

Haradinaj, ishte bërë subjekt i gazetës “Blic” dhe mediave tjera serbe, duke u cilësuar si kontrabandues të armëve nga Serbia dhe drejtues të një prej klaneve më të fuqishme të krimit në Kosovë.