Mustafa: Çdo rrugë në Kosovë është e jona. Me rëndësi është të arrijmë atje ku synojmë!

Aktuale December 02, 2016 - 22:04

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas shumë mohimeve që i ka bërë gjatë ditës se është penguar gjatë shkuarjes në veri, ai me në fund e ka pranuar se u pengua nga serbët. Mustafa në një status në Facebook ka thënë se nëse dikush ka tentuar ta pengojë këtë inaugurim, atëherë ata që kanë tentuar do të kenë mbetur në mes të rrugës. Të parit të Qeverisë nuk i ka pëlqyer edhe raportimi në media që është bërë për këtë ngjarje. “Është e mundur, por edhe e çuditshme, që disa mediumeve tona u pëlqen më shumë një deklaratë fëmijaqe e një politikani serb”.

Ky është postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Sot mora pjesë në inaugurimin e një ure, investim prej 400 mijë eurove nga NATO, në Kosovë. Fjala është për urën që lidh Zveçanin dhe Leposaviqin. Ishte një manifestim i organizuar nga KFOR-i. 

Një infrastrukturë shumë e rëndësishme komunikimi ndërmjet banorëve të asaj pjese të Kosovës, por edhe një simbolikë e veçantë.  Ura është komunikim, është lidhje, është hapje. 

U ndjeva mirë që isha atje. Është një investim në shtetin tim.  Kjo është esenca e ngjarjes.  Nëse dikush ka tentuar ta pengoj këtë inaugurim, atëherë ata që kanë tentuar do të kenë mbetur mjedis rruge, kurse unë si Kryeministër isha në kohën e duhur në inaugurimin e urës. 

Është e mundur, por edhe e çuditshme, që disa mediumeve tona u pëlqen më shumë një deklaratë fëmijaqe e një politikani serb dhe ajo për ta është më e rëndësishme sesa prezenca jonë në ngjarje të tilla. 

Por, kjo nuk është e gjitha. E vërteta flet se qarqe të caktuara serbe po tentojnë ta mbajnë peng këtë pjesë të Kosovës. Prandaj nuk kanë nevojë që të kenë në krah edhe ndonjë medium të Kosovës.  Çdo rrugë në Kosovë është e jona. Me rëndësi është të arrijmë atje ku synojmë!