Mustafa: Lajm i mirë, rizgjedhja e Angela Merkel në krye të CDU-së

Aktuale December 06, 2016 - 21:30

Kryeministri i vendit, njëherësh lider i LDK-së, Isa Mustafa, e ka quajtur lajm pozitiv për Partitë Popullore Evropiane rizgjedhjen e kancelares gjermane Angela Merkel në krye të CDU-së.

Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “është lajm i mirë që në krye të CDU-së dhe të Gjermanisë, pas zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm, pritet të jetë sërish Kancelarja Merkel dhe CDU-ja, anëtare e Familjes së EPP-së, ku LDK-ja është anëtare shumë e respektuar”.

Postimi i Mustafës në Facebook:

“Familja e madhe e Partive Popullore Evropiane (EPP), ka marrë një lajm pozitiv.

Kancelarja Angela Merkel është rizgjedhur në krye të CDU-së dhe do të kandidojë për një mandat të katërt për Kancelare të Gjermanisë.

Është lajm i mirë që në krye të CDU-së dhe të Gjermanisë, pas zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm, pritet të jetë sërish Kancelarja Merkel dhe CDU-ja, anëtare e Familjes së EPP-së, ku LDK-ja është anëtare shumë e respektuar.

CDU-ja dhe partitë tjera simotra në EPP, kanë dhënë përkrahje vendimtare për Kosovën në nënshkrimin e MSA-së dhe marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave, përkrahje e cila do të jetë shumë e rëndësishme për ne, në të ardhmen.

Partitë e qendrës së djathtë në kuadër të EPP-së kanë dëshmuar lidership, zotësi për reforma, garanci për zhvillim dhe integrime gjithëpërfshirëse evropiane si dhe kapacitete për ballafaqim me sfidat bashkëkohore.
LDK-ja është përfaqësuesja më e denjë e këtyre vlerave në Republikën e Kosovës, duke fituar në këtë mënyrë besimin e plotë të anëtarëve të tjerë të EEP-së.

“Shtëpia nuk mbahet pa miq”, thoshte Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova” (sic.), ka shkruar Mustafa.