“Ngritja e një shteti” – një udhëtim edukues në marrëdhëniet ndërkombëtare

Aktuale December 07, 2016 - 23:14

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj shpalos për lexuesit ambicjen e tij që politika e jashtme e Kosovës të ndërtohet mbi një kuadër të gjerë intelektual e të mishërohet nga një mendim filozik – një proces që do kërkojë ndërthurrjen e përvojës së saj me mendimin bashkëkohor

Gjatë vizitës së parë në Beograd si Ministër i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj pati një incident. Ashensori me të cilin po ngjitej në ndërtesën ku do të bisedonte me Ivica Daçiçin pësoi defekt dhe humbi lartësinë. Për fat të mirë, të gjithë dolën jashtë nga kati i nëndheshëm i ndërtesës.

Ministri i Jashtëm serb ka shpenzuar shumicën e energjive të tij në punë për të sabotuar shtetin e ri të Kosovës, po ky incident nuk ishte në planet e tij.

Në oborrin e ndërtesës iu afrua dhe i tha kolegut shqiptar se ashensori ishte prishur papritur. “Dua ta kuptosh që askush nuk po përpiqet të të vrasë”, tha Daçiçi. Hoxhaj nuk e kishte humbur toruan nga incidenti. “E kuptoj”, iu përgjigj ai. “Ashensori u rrëzua sepse Kosova, ndonëse një shtet i ri, ka peshë të madhe në fushën ndërkombëtare”.

Historia e mësipërme është një prej anekdotave interesante që shfaqen aty-këtu, në librin “Ngritja e një shteti” nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj. Libri përmban veç të tjerash një nga përmbledhjet e shkrutra më të mira, për ata që kanë nevojë për një kurs të shpejtë të veprimtarisë diplomatike ndërkombëtare që parapriu shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo, libri nuk është një memuar. Edhe sikur lexuesi të mos kishte asnjë interes konkret për Kosovën, përsëri do t’ia vlente leximi për prezantimin me koncepte, teori dhe precedentë të marrëdhënieve ndërkombëtare që ofron. Vlera e tij kryesore është në fakt edukative.

Media dhe publiku shpesh ndjek pasion momentet kyçe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa shpërfill zhvillimet rutinore, takimet me ambasadorët, karuselin e vizitave nga zyrtarë të huaj apo të zyrtarëve tanë në vendet e huaja, shkëmbimet kredenciale e kancelarike, urimet dhe ngushëllimet protokollare, saktësimin e hollësive të marrëveshjeve të nënshkruara e plot zhvillime rutinore diplomatike, pa e vrarë mendjen apo kuptuar kontekstin e tyre. Po pas çdo hapi të rëndësishëm në politikën e jashtme ka një proces të gjatë dhe shpesh prozaik që e prodhon atë. Shumë nga shprehjet e padurimit me arritjet në politikën e jashtme dhe mllefit ndaj përfaqësuesve të angazhuar në proces, vjen nga mosnjohja e plotë e vetë procesit.
Kjo nuk është e pazakontë. Njerëz në shumë vende të botës dinë akoma më pak për marrëdhëniet ndërkombëtare sesa qytetarët e Kosovës. Sikur Kosova të mos kishte problemin themelor të njohjes ndërkombëtare, një fqinj kaq sabotues dhe një histori vendore, kombëtare e rajonale të përgjakshme dhe të dhimbshme, temat e politikës së jashtme do të ishin një kuriozitet anësor për jetën e përditshme kosovare e shqiptare, e jo temë debatesh të ashpra politike e kulturore.

Libri i Hoxhajt, veç të tjerash, e edukon lexuesin pikërisht për të kuptuar kontekstin dhe precedentët e shumë prej sfidave me të cilat përballet diplomacia kosovare sot. Ai është ndarë në shumë kapituj e nënkapituj për të prekur çështje e aspekte të ndryshme të pozitës së Kosovës në botë, po secila nga këto ndarje ka potencialin për t’u zhvilluar në libër më vete.

Larmia e temave gati garanton që gjithësekush të hasë në çështje apo diskutime që i ka për zemër. Surpriza që ia vlen të përmendet për mua ishte pjesa kushtuar diplomacisë së vendeve të vogla. Debatet shqiptare (edhe nga debatuesit më të arsimuar), vuajnë nga vëmendja e tepruar te sjellja e vendeve të mëdha. SHBA, Rusia, Kina apo vende me fuqi më rajonale si Turqia ndiqen e debatohen ethshëm për arsyet e kuptueshme dhe shpesh të pranueshme. Mirëpo, nëse ka përgjigje për problemet e Kosovës, ato, sipas të gjitha gjasave, gjenden më shumë në përvojën e vendeve të vogla. Të atyre që ashtu si Kosova kanë ngadhënjyer apo dështuar nga mënyra sesi kanë lundruar rrjedhat ndërkombëtare e historike, duke u pozicionuar me kujdes ndaj fuqive të mëdha e rrymave të kohës.

Enver Hoxhaj duhet vlerësuar për rëndësinë që i ka kushtuar kësaj teme, e cila duhet të hulumtohet më shumë nga studjuesit, ekspertët dhe diplomatët tanë në punën e tyre.

Ajo që do të shtoja është se studimi i sjelljes ndërkombëtare të vendeve të vogla nuk shërben thjesht për të imituar apo përsëritur veprime të frytshme edhe në politikën e jashtme të Kosovës, por edhe për të kuptuar më mirë arsyet e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës nga shumë prej tyre.
Dhjetëra shtete të vegjël kanë marrë vendimin për ta njohur Kosovën e dhjetëra të tjerë kanë refuzuar, ngurruar, po përtuar që ta bëjnë. Se çfarë e shtyn vendimmarrjen e tyre mund të jetë vendimtare për të plotësuar mozaikun e njohjes globale të shtetit të ri.

Pjesa për vendet e vogla të lë me dëshirën për të vijuar në këtë temë në vend që të kërcesh në aspekte të tjera. Studimet nuk mungojnë në këtë drejtim, po disa të tillë, të posaçëm për rastin e Kosovës, sfidat e saj dhe përvojës në histori të shumë shteteve me përplasje të ngjashme, do të ishin vërtet një kontribut i vyer. Në fakt, propozime të tilla duhen parashtruar me kujdes. Ekziston një imagjinatë klishe, sipas të cilës, nëse do t’ia lodhësh kokën një diplomati, vëre të lexojë libra akademikësh të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare duke i thënë se aty do ta gjejë zgjidhjen konkrete për problemin e tij. Kjo pastaj drejtpeshohet nga klisheja tjetër se nëse do të shohëh një akademik t’i ngrihet vetulla deri në majë të kokës, thuaji të lexojë përfundimet teorike që ka nxjerrë një diplomat nga përvoja e tij profesioniste.

Në këtë zonë gri të ku kontributet i bëjnë “karshillëk” njëri-tjetrit dhe kalimtarët përshëndeten ftohtë ndërsa i kalojnë përbri njëri-tjetrit, Enver Hoxhaj ka një epërsi të veçantë. Nga një anë, ai është një diplomat tashmë me përvojë, nga ana tjetër, ai ka qenë i fokusuar gjatë, si profesor, në jetën akademike. Si përfaqësues i të dy botëve ai ka ofruar një libër që mund t’u vlejë si diplomatëve të vendit e të rajonit, ashtu edhe studjuesve të kësaj fushe. Kjo ia rrit lexueshmërinë librit dhe e bën të rekomandueshëm në mos të domosdoshëm për këdo që dëshiron të gjykojë daljen e Kosovës në fushën ndërkombëtare dhe veprimtarinë e saj, sidomos pas pavarësisë.

Për njerëzit e medias, leximi është një domosdoshmëri. Mjafton të sjell ndër mend këtu “konfliktin” e krijuar mes autorit të librit dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, pas vizitës së këtij të fundit në Beograd e Preshevë. Për lexuesin e librit, kjo tingëlloi si një kronikë e një përplasjeje të paralajmëruar. Raporti i ndërlikuar i me Shqipërinë, kur vjen puna në përfaqësimin ndërkombëtar është gjithashtu temë e librit “Ngritja e një shteti”, e cila meriton të zhvillohet nga autori në një libër më vete. Rastet e kuptimit dhe keqkuptimit me Tiranën shqyrtohen këtu në veçanti, po ato mund të krahasohen pastaj më tej, me shumë raste të tjera në botë. Do të përmendja këtu Greqinë dhe Qipron, Gjermaninë si RFGJ e RDGJ, e më herët mes Gjermanisë dhe Austrisë, mes Turqisë dhe Turqisë Veriore, mes vendeve arabe të peshave të ndryshme, si Sauditët me satelitët e tyre, si Jordaninë apo Egjiptin me Palestinën etj.

Disa nga këto krahasime që po radhis këtu mund të tingëllojnë absurde e disa janë më të afërta se sa do të kishim dashur, mirëpo ka shumë elementë që meritojnë shqyrtim, ndërkohë që Tirana dhe Prishtina përpiqen të gjejnë mënyrën më të mirë të bashkëpunimit e përfaqësimit. Ndoshta ata që e kanë lexuar librin do t’i shihnin shkëmbimet mes Tiranës dhe Prishtinës, në këtë rast të fundit, me më pak alarmizëm e dramë dhe më shumë mirëkuptim ndaj natyrës të ndërlikuar në mënyrë të natyrshme të këtij raporti.

Në rastin ideal, politika e jashtme është tërësisht e shkëputur nga ajo e brendshme. Partitë në qeveri dhe ato në opozitë e përdorin politikën e jashtme për të zhvilluar e fuqizuar vendin dhe jo për të fituar pikë politike të brendshme. Mirëpo ne nuk jetojmë në një botë ideale dhe aq më pak është e mundshme kjo në vende si Shqipëria e Kosova me demokraci ende të pastabilizuar, klasë politike problematike, me plagë të hapura e sentimente nacionaliste të trazuara.

Mjafton të shohim ndërhyrjet e opozitës në vendimet e politikës së jashtme sidomos në çështjet e normalizimit me Serbinë dhe përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. A është politika e jashtme pra një zgjatim apo reflektim i asaj të brendshme? Apo është e kundërta, që politika e jashtme skalit atë të brendshme? Kjo temë gjen vend gjithashtu në këtë libër, po më shumë vetëm në kuadrin e Kosovës, ku përmenden edhe protestat e opozitës e më saktësisht Vetëvendosjes. Mund të tingëllojë cinike kjo, po mes atyre që do t’ua kisha sugjeruar leximin e librit janë edhe drejtuesit e Vetëvendosjes dhe opozitës në Kosovë.

Libri është eklektik sepse orvatet të mbulojë të gjitha aspektet që kanë sfiduar republikën e re në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe konceptet e lidhura me to. Parada e jashtëzakonshme e faqeve të Shënimeve, dëshmon kërkimin serioz që ka paraprirë këtë libër dhe përbën një burim të jashtëzakonshëm leximesh për ata që duan të investojnë më shumë në njohjen e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Nëse do të zgjidhja për të debatuar një moment në libër është krahasimi i politikave të Rishëliës me shtetet protestante gjermane dhe politikave të BE-së lidhur me Kosovën. Është një nga ato anekdotat historike që pasurojnë librin e Hoxhajt, po që të paktën në këtë rast, më kujtoi një keqkuptim të përsëritur të BE-së dhe mënyrës sësi i afrohet problemeve. Sigurisht, Rishëlië mund të ndërtonte politikën që dëshironte, ndërsa BE është e bekuar apo e mallkuar (në varësi të këndvështrimit) me vendimarrje kolektive. E kuptoj që nuk ka krahasime të përkryera në histori, po ndërsa BE mund të akuzohet për ngathtësi, paaftësi e varësi në një sistem vetësabotues, ajo dallohet nga regjimet e të kaluarës pikërisht nga refuzimi i teorisë zero. Ajo promovon një sistem ku pak a shumë fitojnë të gjithë, sado naive që të tingëllojë. Vendimtare në rastin e Rishëliës ishte se protestantët e Francës nuk kishin input në politikat e tij të jashtme dhe se ai nuk imagjinonte dot një situatë ku mund të lulëzonin edhe Franca edhe një Gjermani e Bashkuar. Njëra duhej të mos ekzistonte. Kjo është kaq anësore në libër saqë nuk e meritonte një paragraf. Mirëpo, u ndala sepse pakënaqësia me dështimet e BE-së lidhur me Kosovën duhen kuptuar për ato që janë. E ndërsa Hoxhaj është i poziconuar aty ku duhet (e dëshmuar nga anekdota me Lajçak, po aty në libër) apo nga përplasja e fundit, këto ditë me Daçiçin në Varshavë, shumë nga kritikët e tij, e ndoshta një pjesë e lexuesve potencialë të librit nuk janë.

Faqet paraprirëse, kushtuar negociatatave për MSA-në, janë pastaj një kuriozitet më vete, po edhe një lexim i detyruar për këdo që debaton për politikën e jashtme në Kosovë. Jo për të rënë dakord domosdoshmërisht me qendrimet politike të Enver Hoxhës, po për t’u siguruar se është i ndërgjegjshëm dhe në dijeni, për miriadën e problemeve e teknikaliteteve të pafund, që përbëjnë temat madhore për të cilat debatojmë aq shumë.
Kam hasur jo rrallë kritikë të politikës së jashtme të Kosovës, të cilët ndonëse kanë orientimin e qartë dhe bazohen në parimet e duhura, dëmtojnë argumentin e tyre pikërisht sepse refuzojnë të marrin në konsideratë morinë e kompromiseve dhe akrobacive të imponuara nga e drejta ndërkombëtare apo nga marrëdhëniet e ndërkombëtare. Këto të fundit nuk varen prej dëshirës apo llogjikës të aktorëve në lojë. Po injorimi i tyre nuk do të thotë se ato do të pushojnë së ekzistuari. Më kujtojnë rastin e Syrizës në Greqi, drejtuesit e të cilës ishin të bindur se ishte paaftësia dhe mungesa e shtyllës kurrizore të qeveritarëve grekë që kishte sjellë ato fryte negociatash me palët kreditore. Deri sa erdhën vetë në pushtet dhe humbën gati një vit për të përfunduar në kushte të ngjashme bashkëpunimi, me ato të pararendësve të tyre në pushtet.

Në fund, libri më la me një ndjenjë kënaqësie dhe sigurie. Mund të mos jesh dakord me qeverinë Mustafa, mund të mos jesh dakord me PDK-në apo edhe me vendime të politikës së jashtme të Kosovës, po nuk mund të mos ndjesh kënaqësi dhe të duartrokasësh që Kosova ka një ministër të jashtëm me këtë nivel kuptimi dhe njohjeje të kontekstit teorik dhe historik të sfidave me të cilat përballet.

“Sjellja e jashtme është një proces politik formal dhe burokratik. Porse ajo nuk duhet assesi të shihet si një çështje teknike dhe rutinore. Ajo është një ballafaqim intelektual dhe shoqëror”, shkruan Hoxhaj në librin “Ngritja e një shteti”. “Deri tani politika e jashtme e Kosovës është bazuar sipërfaqësisht në orientimet e saj. Megjithatë, ajo duhet të ndërtohet në të ardhmen mbi një kuadër të gjerë intelektual… Një mendim filozofik si mishërim i saj është i domosdoshëm, me që pa të politika e jashtme e Kosovës do të ishte e papërcaktuar dhe e shkujdesur”. Dhe me me këtë libër, Hoxhaj ka bërë pikërisht hapin e parë në këtë drejtim, duke ndërthurrur përvojën kosovare me mendimin bashkëkohor.

Kur kriza politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë u mbyll me një koalicion të dy partive më të mëdha të Kosovës, Hashim Thaçi parkoi karrierën e tij politike në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, duke pritur mbarimin e mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga. Nuk e marr dot me mend se si do ta ketë përjetuar Enver Hoxhaj ngjarjen sepse nuk e kam atë afërsi me politikën e përditshme të Prishtinës dhe figurat kryesore të saj, po është e natyrshme nëse është revoltuar për humbjen e postit dhe ndërprerjen e një aktiviteti që e ka qartazi për zemër.

Mirëpo, ka qenë si thonë anglezët një “bekim i maskuar si mallkim”. Një mundësi e papritur për të reflektuar në punën e bërë deri atëhere. Jeta nuk të jep shumë kohë që të ndalesh e të reflektosh se çfarë po bën, në vrull e sipër. Sidomos, në krye të diplomacisë së një vendi, minutat janë të numëruara e rutina intensive lë pak vend për reflektim. Pikërisht, në periudhën e ndërmjetme, të pushimit të detyruar, Hoxhaj iu përvesh shkrimit të këtij libri, për të kuptuar edhe vetë më mirë punën e tij.

“Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë thjesht puna që bëj, po edhe një shqetësim intelektual për mua”, tha ai në Nju Jork, gjatë vizitës së fundit.
Asgjë nuk e dëshmon këtë deklaratë më shumë se sa ky libër. Mandati i një ministri është gjithnjë i kufizuar në kohë, ndërsa fatet politike shkojnë e vijnë, pjesëmarrja në debatet intelektuale për marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mbaron kurrë. Është një angazhim dhe pasion që nuk ndalet deri në ditën e fundit të jetës./http://illyriapress.com/ngritja-e-nje-shteti-nje-udhetim-edukues-ne-marredheniet-nderkombetare/illyriapress.com/