Kroacia 'shuplakë' Serbisë, pas rastit të Ramush Haradinajt

Aktuale January 13, 2017 - 20:54

Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj para disa ditësh është arrestuar nga autoritetet franceze në bazë të një flet-arresti të lëshuar nga Serbia.

Pas prangosjes së tij, institucionet vendore u treguan të “urta” karshi Serbisë. Madje, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të paktën ta nxjerrë një rezolutë të përbashkët për ta dënuar ndalimin e qytetarit të saj në mënyrë krejtësisht joligjore.

Ndërsa një mbështetje e fuqishme për Haradinajn ka ardhur nga shteti mik i Kosovës, Kroacia. Shqiptarja, e cila është deputete në këtë shtet, Ermina Lekaj-Prlaskaj ka thënë se ka apeluar tek spektri politik atje që t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë në raport me qytetarët e Republikës së Kosovës. Në një prononcim për “Indeksonline”, ajo ka treguar për kërkesën që ua ka drejtuar përfaqësuesëve kroat të PE-së lidhur me këtë arrestim.

“Po, unë kam bërë apel tek deputetët e Kroacisë në Parlamentin Evropian dhe ata më janë përgjigjur se në mbledhjen plenare do ta kushtëzojnë Serbinë për këtë rast. Poashtu, kam kontaktuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme i cili do ta kushtëzojë Serbinë në negociatat dhe ata për kapitullin 23 të drejtësisë”, ka thënë ajo.

Lekaj-Prlaskaj ka komentuar edhe vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit në Colmar, e cila liroi me kusht gjeneralin e UÇK-së.  “Lirimi i Haradinajt nuk është i drejte pasi që nuk është liruar plotësisht. Jam e gatshme që të lobojë edhe me tutje sepse me këtë jam duke i mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës”, ka thënë ajo.

(Foto: Deputetja shqiptare në Kroaci)

Ndryshe, në apelin e drejtuar përfaqësuesve të Parlamentit Evropian vlerësohet se arrestimi i Haradinajt është i pakëndshëm dhe vetëm konfirmon arsyetimin e plotë të apelit që deputetët e PE-së e kanë paraqitur disa herë.

“Struktura normative e ashtuquajtur "Kompetenca rajonale" e gjyqësisë serbe, në kundërshtim me të gjitha traditat e qytetëruara ligjore, shprehet edhe një herë në këtë arrestimin e fundit, i cili vjen pas një seri të arrestimeve të shtetasve kroatë. Pasi që Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk është e përfaqësuar në Parlamentin Evropian, ju lutem në këtë mënyrë që, në pajtueshmëri me mundësitë dhe influencën tuaj politike, ti sensibilizoni kolegët e juaj për këtë çështje konkrete, e cila përsëri e hap çështjen parimore të ndërhyrjeve të gjyqësisë serbe, dhe në këtë mënyrë dhe politika, në punët e brendshme të shteteve fqinje, dhe rrjedhimisht edhe mohimin e sovranitetit si të Republikës së Kroacisë ashtu dhe Republikës së Kosovës”, tregon deputetja Lekaj-Prlaskaj, teksa citon këtë apel drejtuar BE-së. /Indeksonline/