Sherifi: Mustafa dhe Qeveria paraqesin rrezik për integritetin territorial të vendit

Aktuale January 13, 2017 - 20:51

Bilall Sherifi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar për demarkacionin me Malin e Zi, ai ka thënë se në vend të ballafaqimit korrekt me faktin se versioni i Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën, Qeveria e Kosovës ka krijuar një komision të cilit ia ka ngarkuar për detyrë “ta bëjë matjen e territorit të Kosovës”, transmeton “Zeri.info”.

Sipas tij matja e një sipërfaqe është e mundur vetëm në rastet kur janë të njohura të gjitha parametrat që e përkufizojnë sipërfaqen e caktuar.

Ky është postimi i plotë:

NJË "SHPIKJE" QË EDHE ALKIMISTET DO IA KISHIN LAKMI!

Në vend të ballafaqimit korrekt me faktin se versioni i Marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit është një marrëveshje e dëmshme për Kosovën dhe si e tillë nuk u pranua nga shumica dërmuese e popullit të Kosovës, nga të gjithë deputetët e opozitës dhe nga një numër i konsiderueshëm i deputetëve të partive të koalicionit qeverisës, Qeveria e Kosovës ka krijuar një komision të cilit ia ka ngarkuar për detyrë “ta bëjë matjen e territorit të Kosovës”.

Matja e një sipërfaqe është e mundur vetëm në rastet kur janë të njohura të gjitha parametrat që e përkufizojnë sipërfaqen e caktuar. Pa njohjen e të gjitha parametrave matja është e pamundur!

Sa i përket “matjes së territorit të Kosovës” secili e di që Kosova nuk e ka përfunduar shënjimin e kufirit as me Shqipërinë, as me Serbinë e as me Malin e Zi. Vetëm me Maqedoninë ka përfunduar ky proces dhe atë në dëm të territorit Kosovës.

Kushdo që të kishte bërë përpjekje të maste territorin e Kosovës në mungesë të parametrave të lartpërmendur, me të drejtë do të mund të trajtohej si njeri jo serioz. Një gjë e tillë nuk mund të thuhet për Isa Mustafën dhe Qeverinë e Kosovës. Përmes kësaj përpjekje që edhe alkimistët do ia kishin lakminë, Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës paraqesin një rrezik të madh për integritetin territorial të vendit sepse krijuan një komision të ri me qëllim që të legjitimojnë marrëveshjen e vjetër!

Të gjitha institucionet e Kosovës dhe çdo qytetar i saj e ka për obligim që të angazhohet maksimalisht që në proceset bilaterale të përcaktimit të vijës kufitare me shtetet fqinje të mbrojë çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës. Tek pas përmbylljes së këtyre proceseve politike matja e sipërfaqes së Kosovës bëhet nga ekspert të fushës përkatëse.