Shkëmbimi i territoreve, vështirë i realizueshëm

Aktuale January 21, 2017 - 09:02

Ideja e shkrimtarit Rexhep Qosja për t’i dhënë fund konfliktit mes Kosovës e Serbisë duke shkëmbyer territore, nuk mund të realizohet lehtë në rrethanat e tanishme. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në Kosovë, sipas të cilëve, një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se një ide e tillë është krejtësisht e gabuar. Sipas tyre, Kosova tashmë i ka kufijtë e vet dhe një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë. Pavarësisht tyre, vite më parë përfaqësues të Serbisë e të Rusisë patën dhënë idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë si mundësinë më të mirë për të dyja palët, duke ia dhënë Serbisë veriun, ndërsa Kosovës Luginën.

Qosja: Çështja zgjidhet vetëm me shkëmbim territoresh

Shkrimtari Rexhep Qosja tha para dy ditësh se konflikti mes Kosovës e Serbisë mund të zgjidhet vetëm me shkëmbim territoresh.

“Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën. Kjo nuk është e lehtë dhe ne mund të mendojmë se Serbia nuk do të pajtohet lehtë”, ka thënë Qosja për “Klan”.

E idenë për shkëmbim territoresh e pati mbështetur edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë se ndarja e Kosovës do të ishte njëra nga zgjidhjet më të mira si për serbët, ashtu edhe për shqiptarët. Kjo deklaratë e Daçiqit pati ardhur menjëherë pas intervistës që pati dhënë për “Zërin” ish-udhëheqësi i Zyrës ruse në Prishtinë, Andrey Y. Shugurov.

Gecaj: Ideja e Qosjes, për keqardhje

Por këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj, ka vlerësuar se qëndrimi i Qosjes për shkëmbim territoresh me Serbinë është për keqardhje.

“Qëndrimet e tij në 24 vjetët e fundit janë për keqardhje”, është shprehur Gecaj.

Edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, e ka cilësuar si tejet të gabuar idenë për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

“Absolut është mendim i gabuar, i cili asnjëherë s’do të shkonte përpara. Republika e Kosovës i ka kufijtë shtetërorë dhe si të tillë duhet t’i ruajë me maksimalitetin e vet dhe ndërrimi i kufijve nuk do të ndodhë asnjëherë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Bahtirit, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë edhe nëse dikush e dëshiron këtë shkëmbim.

“Ne e kemi shpallur pavarësinë dhe edhe po të duam nuk mund të veprojmë në atë mënyrë. I kemi saktë kufijtë dhe si të tillë do t’i mbrojmë. Kosova duhet të jetë shtet i fuqishëm që i mbron edhe pakicat e tjera jashtë shtetit të vet”, është shprehur më tutje ai.

Haziri: Alternativa e vetme, ndryshimi i kufirit

Për dallim prej Bajram Gecajt, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka vlerësuar se zgjidhja e vetme për ta zgjidhur çështjen e serbëve dhe shqiptarëve është ndryshimi i kufirit.

“Unë e kam thënë edhe më herët që përmes dialogut politik çështja e kufirit e 1974-s të diskutohet me Serbinë sa i përket ndryshimit në territore, jo ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Por, megjithëkëtë, ai ka thënë se një çështje e tillë nuk është fare e lehtë për t’u realizuar.

“Normalisht, që çështja e kufijve u pa me Malin e Zi se sa e vështirë është. Është shumë e ndjeshme, por dialogu politik në mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit kishte bërë që të zgjidhet ky problem. Nuk ka alternativë tjetër”, ka theksuar Haziri.

Ai më tej ka thënë se nuk është për ndarje të Kosovës, por vetëm për ndryshim të kufirit, i cili, sipas tij, do ta sillte zgjidhjen.

“Absolutisht jo ndarjes së Kosovës, por ndryshimit të kufirit, duke e përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjën në Kosovë sepse janë me shumicë shqiptare, ndërsa fshatrat e Leposaviqit e Zubin Potokut t’i kthehen Serbisë se janë shumicë serbe. Dhe me këtë zgjidhet edhe problemi i Mitrovicës, edhe problemi i Preshevës e i Bujanocit”, është shprehur Haziri.

Lekaj: Zgjidhja nuk është shkëmbimi i territoreve

Pavarësisht Hazirit, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se Kosova nuk duhet ta mendojë si zgjidhje shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

“Këto ide nuk janë të reja, veçanërisht në Serbi ekzistojnë prej shumë kohësh. Por, Kosova nuk duhet ta shohë zgjidhjen e problemit territorial dhe kombëtar në këtë kontekst. Kjo që po ndodh në Mitrovicë sot nuk ka asnjë lidhje me problemin e shqiptarëve në Luginë”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas tij, një gjë e tillë nuk duhet as të mendohet si zgjidhje.

“Prandaj, kjo as nuk është dhe as nuk duhet të pranohet jo si zgjidhje, por as si propozim. Sepse jo që nuk i qetëson raportet Kosovë - Serbi, por mund të na dërgojë drejt një konflikti të ri”, ka potencuar ai.

Maliqi: Shkëmbimi, vështirë i realizueshëm

Nga ana tjetër publicisti Shkëlzen Maliqi, ka vlerësuar se ideja për shkëmbimin e territoreve me Serbinë është vështirë i realizueshëm.

“Ideja e rrumbullakosjes së shteteve etnike duke shkëmbyer territore dhe popullsi është e pranishme mbase edhe dominuese në disa qarqe në Kosovë dhe sidomos në Serbi. Dhe ajo në këtë variantin e këmbimit të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës duket si zgjidhje më pragmatike e për disa edhe e natyrshme. Por vështirësitë e realizimit fillojnë nga çështja e realizueshmërisë”, ka deklaruar ai.

Sipas Maliqit, një gjë e tillë do të mundë të bëhej nëse Serbia do ta njihte Kosovën si shtet.

“Vetëm një aranzhman paraprak, ku Serbia e njeh Kosovën dhe që përcillet edhe me Marrëveshjen për Rregullimin e Kufirit, do ta mundësonte realizimin e idesë së Qosjes”, ka thënë ai.

Por, sipas tij, ndërkombëtarët janë kundër këtyre gjërave ngase probleme të tilla ka edhe në vendet e tjera të rajonit.

Kurse politologu Ramush Tahiri, ka vlerësuar se shkëmbimi i territoreve me Serbinë nuk do të mundë të bëhet përderisa nuk plotësohen disa kushte së pari e tek atëherë, siç është shprehur ai, mund të ketë rirregullim territoresh.

“Janë disa renditje së pari: pranimi i Republikës së Kosovës nga Serbia e anëtarësimin në OKB. Kjo siguron integritet, sovranitet, subjektivitet ndërkombëtar. Gjithashtu jemi shtet i pranuar dhe palë e barabartë. Kur t’i kemi këto të pranuara, atëherë mund të bëjmë rirregullim ose këmbim territoresh”, ka deklaruar ai.