Hoxhaj: Sulmin ndaj autobusit do ta ngrisë si çështje tek shtetet e BE-së

Aktuale March 19, 2017 - 22:41

Sulmi që ndodhi në mëngjesin e së dielës ndaj autobusit me pasagjerë kosovarë në Serbisë jo vetëm që është i papranueshëm dhe i dënueshëm, por nga ana e Kosovës do të ngritët si shqetësim edhe tek disa shtete të Bashkimit Europian.

Për këtë ka siguruar ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili në një intervistë të shkurtër për Klan Kosovën pohoi se Serbia nuk duhet të lejojë që të tilla incidente të ndodhin.

“Do ta ngrisë si çështje në disa shtetet të Bashkimit Europian”, ka thënë Hoxhaj, pasi, sipas tij, kjo s’është hera e parë që po ndodhë diçka e tillë.

“Çdo herë udhëtarët që udhëtojnë nëpër Serbi nuk janë të sigurt ndalohen, arrestohen, kjo në nuk duhet të ndodhë, sepse ne kemi marrëveshje për lëvizjen e lirë dhe duhet të respektohet ajo”, shtoi Hoxha.

Sipas ministrit kosovar, “një vend demokratik duhet të merr masa kur ndodhin sulmet e tilla që të mos përsëritën”.

Autobusi i kompanisë “Bici-Com”, u sulmua nga persona të panjohur në Krushevc të Serbisë në mëngjesin e sotëm.

Pronari i kësaj kompanie ka treguar për Klan Kosova se automjeti transportues po përshkonte linjën Prishtinë-Vjenë.

Nga ky incident që ka ndodhur, nuk është raportuar për të lënduar përveç dëmeve materiale, njofton Klan Kosova.

Pronari i kompanisë së autobusëve, Behxhet Bici, ka thënë për Klan Kosovën “se autobusi është përcjellur nga dy vetura, njëra e vogël dhe një kombi. Personat në automjete i kanë raportuar njëri-tjetrit për lëvizjet e autobusit”.

“Në momentin që autobusi ka hyrë në kthesë është goditur me një shishe dhe si pasojë është thyer xhami i parë i autobusit. Fatmirësisht shoferi nuk e ka lëshuar rrugën kryesore për ta humbur drejtimin, ndërsa në autobus kishe 25-26 udhëtarë”, ka thënë Bici.

Sulmin e ka dënuar edhe Ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Edhe ajo ka theksuar për Klan Kosovën se sulme të tilla dhe pengimi i lëvzijes janë shkelje e marrëveshjes për lëvizjes të lirë e cila është arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.