12 milionë investime, Kosova pa ujë të pijshëm

Aktuale March 22, 2017 - 18:22

Gjithsej 12 milionë euro investime janë bërë në përmirësimin e cilësisë së ujërave, përfshirë ujërave të zeza por edhe rreugllimin e shtrateve të lumenjëve, ka thënë Ferat Shala, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor.

Në edicionin e drejtpërdrejt të lajmeve Info 3 në RTK, ministri i mjedisit dhe planifikimit hapsinor Ferat Shala,  me rastin e Ditës Botërore të Ujit po ashtu ka thënë se kjo është një ditë e shënuar në tërë rruzullion tokësor.

"Ditë kjo që kthen opinionin ndërkombëtar por edhe institucionet menaxhuese dhe median e shoqërinë civile tek resursi jetik që është uji. Kosovën kjo ditë e gjen me përgatitje të fuqishme legjislative në përmirësimin e ujërave në Kosovë", ka thënë ministri Shala. 

Megjithatë, ai është shprehur se është realitet që Kosova ende nuk ka ujë të nevojshëm. Por, institucionet e vendit, po përcjellim situatën dhe po investojmë fuqishëm në ngritjen e kapaciteteve. 
"Ne kemi strategjinë e ujërave që shpejt do të kaloj në qeveri dhe parlament", ka thënë Ministri Shala. Ai ka thënë se një punë e mirë është bërë përmes studimit të thellë për pellgun e Drinit që është një projekt ndërkombëtar.