Isa Mustafa merr pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane

Aktuale March 28, 2017 - 11:32

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media bën të ditur se do të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Evropiane (EPP), me ç’rast kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa do të paraqitet me fjalim para krerëve të EPP-së, njëherësh përfaqësues të qeverive dhe institucioneve evropiane.

EPP është grupi më i madh parlamentar në kuadër të Parlamentit të Bashkimit Evropian, institucion i cili përkrah fuqishëm perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Kryeministri dhe delegacioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës është paraparë të vijojë një agjendë të ngjeshur të takimeve, të cilat i shërbejnë sensibilizimit të opinionit vendimmarrës dhe evropian në lidhje me synimet e Republikës së Kosovës për integrim në institucionet ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrjes në agjendën zhvillimore evropiane.

Kongresi i Partive Popullore Evropiane do të mbahet në Maltë, në datat 29 dhe 30 mars.