Hoxha: Autorët e masakrës së Izbicës duhet të dalin para drejtësisë

Aktuale March 28, 2017 - 18:53

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka kujtuar sot masakrën e Izbicës ku 18 vjet më parë ishin vrarë e masakruar 147 qytetarë të pafajshëm. Hoxha në një status në Facebook ka thënë se ata që e kanë bërë këtë krim duhet të dalin para drejtësisë. “Organet kompetente të ndjekjes dhe gjyqësisë, më me ngulm duhet të ngrisin procedurat, të gjejnë dhe ndëshkojnë autorët dhe urdhërdhënësit e këtyre masakrave”.

Ky është postimi plotë i Hoxhës:

Sot, Izbica, Drenica dhe krejt Kosova ka dhimbje. Është ditë e dhimbjes së madhe, sot, u vunë shumë kurora me lule me rastin e 18 vjetorit të masakrës ndaj 147 qytetarëve të pafajshëm, në Izbicë, vetëm pse ishin shqiptarë.

Dhimbja bëhet edhe më e madhe kur kryesit e kësaj masakre por edhe dhjetëra masakrave të tilla në Kosovë ende nuk janë ballafaquar me drejtësinë.

Organet kompetente të ndjekjes dhe gjyqësisë, më me ngulm duhet të ngrisin procedurat, të gjejnë dhe ndëshkojnë autorët dhe urdhërdhënësit e këtyre masakrave të papara ndaj qytetarëve të pafajshëm. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.