PDK do zgjedhje, LDK thotë se s'ka krizë në koalicion

Aktuale April 19, 2017 - 23:15

Zërat për prishje të koalicionit qeverisës, LDK-PDK, dhe për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, sa po vijnë e po shtohen.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka thënë se opinioni i tij është se kjo qeverisje nuk duhet të vazhdohet tutje, pasi në Kuvend ka një rënie të motivimit dhe angazhimit.

“Gjatë konventës së partisë ka pasur mendime dhe adresime nga anëtarësia për koalicionin. Ka pasur zëra të cilët e vlerësojnë se nuk është fundi i botës të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Edhe mendimi im është se kjo qeverisje ka filluar të degradojë. Mendoj që është në dorën e partnerëve të koalicionit të ulen dhe të bëjnë një bilanc dhe të shikohet a duhet të shkohet tutje apo jo. Edhe në Kuvend ka një rënie të motivimit dhe angazhimit. Më shumë ka improvizim për rritje të zhvillimit ekonomik se sa që është reale. Kjo qeverisje nuk mund të vazhdohet tutje, sepse kjo qeverisje e ka tensionuar situatën pa nevojë me çështjen e demarkacionit”, ka theksuar Muja në një emision në televizionin publik.

Ndërkohë, Lirije Kajtazi nga LDK, ka thënë se qeveria po e vazhdon punën e saj me sukses dhe nuk ka krizë.

Sipas saj duhet bërë përgatitje për zgjedhjet lokale e jo për zgjedhjet nacionale

“LDK e ka pjekurinë politike t’i kuptojë edhe zërat opozitarë, megjithatë meqenëse LDK udhëheq me qeverinë, ajo vazhdon me punët e veta. Nuk kemi ngecje në qeveri, por kemi ngecje pak a shumë në parlament. Është mirë të mësohemi e të presim mandat të rregullt dhe të japim mesazh te qytetarët se respektojmë mandatet. Ne duhet të përgatitemi për zgjedhjet lokale e jo për zgjedhjet nacionale. Nëse janë improvizime zhvillimet ekonomike, atëherë le të merren me mekanizmat ndërkombëtarë që i kanë dhënë këto statistika, por të gjithë indikatorët janë që ka zhvillim dhe ngritje ekonomike. Duhet të krenohemi me këto gjëra e të mos xhelozojmë”, është shprehur Kajtazi, duke iu kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së.